Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 16:12

Prishtinë – Kosova merr garanci për njohje nga Republika e Guinesë, sipas një njoftimi ku bëhet e ditur se zv/kryeministri i parë kosovar, Behgjet Pacolli, ka filluar një turne të ri lobimi në kontinentin e Afrikës, të tretin në tre muaj, gjatë të cilëve ka vizituar më shumë se 30 shtete.

Njoftohet se  Pacolli ka pasur një takim të gjatë me Presidentin e Republikës së Guinesë, Alpha Conde dhe një takim tjetër me ministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti, Edouard Gnakoye Lama.

“Gjatë këtij takimi, Pacolli ka marrë garanci të fuqishme se njohja e Kosovës tashmë pritet të ndodhë shumë shpejt”, theksohet në njoftimin nga zyvra e zv/kryeministrit të parë kosovar.

Po ashtu, njoftohet se Pacolli në shtetin e Malit është pritur në një darkë nga Presidenti Amadou Toumani Touré, ku “ka marrë premtimin se njohja e Kosovës do të merret seriozisht në shqyrtim”.

Zv/kryeministri Pacolli ka qëndruar edhe në Tunisi, ku ka takuar liderët e partive politike.