Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 20:15

Tiranë – “Gjyqësori dhe drejtësia janë shtyllat kryesore që ndihmojnë qytetarët e një vendi të krijojnë besimin tek shteti i vet”, theksoi sot ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth, gjate një takimi që zhvilloi me Kryetaren e Gjykatës së Lartë,  Shpresa Beçaj.

Burime zyrtare nga Gjykata e Larte bene te ditur se, Kryetarja e kesaj Gjykate, Shpresa Becaj dhe Kryetari i Kolegjit Penal, Gani Dizdari, kanë pritur në një takim kortezie Ambasadorin e OSBE,  Eugen Wollfarth dhe Fiorentina Azizi,  Drejtuese e Departamentit të Shtetit Ligjor dhe të Drejtave të Njeriut.

Beçaj shprehu mirënjohjen e saj në lidhje më ndihmën e vazhdueshme që OSBE i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin tone. Kryetarja e Gjykatës së Lartë  e njohu Wollfarth me disa nga problematikat kryesore, me të cilat përballet sot pushteti gjyqësor, duke u ndaluar veçanërisht tek pavaresia dhe mirëfunksionimi i këtij pushteti, si një nga tiparet themelore të shtetit demokratik.

Ambasadori i OSBE-së, Wollfarth, u shpreh se, “Gjyqësori dhe drejtësia janë shtyllat kryesore që ndihmojnë qytetarët e një vendi të krijojnë besimin tek shteti i vet”.

Ai shtoi se, “respektimi i pushtetit gjyqësor nga ana e pushteteve të tjera, e transmeton këtë respekt edhe tek publiku dhe opinioni i tij mbi drejtësinë dhe anëtarët e gjyqësorit shqiptar”.

Ambasadori Wollfarth shprehu interesim mbi bashkëpunimin që Gjykata e Lartë gjen me dy pushtetet e tjera, si dhe aktorë të tjerë, që operojnë në fushën e drejtësisë.

Beçaj sqaroi se në mënyrë të vazhdueshme, pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv i janë bërë prezent problematikat me të cilat përballet gjyqësori. Ajo theksoi se kapërcimi i kësaj situatë lidhet me vazhdimësinë e reformës legjislative dhe institucionale, gjë që kërkon ndërmarrjen e hapave konkretë nga dy pushtetet e tjera.

Nevoja për reformimin e pushtetit gjyqësor, u mbështet nga Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, i cili u shpreh se legjislativi dhe gjyqësori duhet të gjejnë një bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv, sidomos gjatë proçesit konsultativ për përgatitjen e projektligjeve.