Lajme Shqip Friday, 09 March 2012 16:00

Tiranë-Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i ka kujtuar sot qeverisë shqiptare se ndërtimi i një administrate publike profesioniste dhe të depolitizuar është kusht themelor për të fituar statusin e vendit kandidat.

Nëse në retorikën e drejtuesve të qeverisë, integrimi ndonjëherë thjeshtëzohet në çështje kartonash për ligjet me 3/5, partnerët europianë na kujtojnë edhe njëherë se nuk është kështu.

Sot u zhvillua ceremonia e përmbylljes së projektit për asistencë në ndërtimin e infrastrukturës së qeverisjes elektronike.

Kreu i Operacioneve në misionin e BE, Luigi Brusa, tha se BE ka financuar këtë projekt për t’i dhënë administratës instrumente të reja, për t’ju shërbyer më mirë qytetarëve.

Zëvendësministri i Teknologjisë së Informacionit, Visho Ajazi, u shpreh se, pas ndërtimit të bazave të qeverisjes elektronike, tani sfida e qeverisë është ofrimi i më shumë shërbimeve online dhe ndërveprimi mes portaleve të ndryshme publike.

Projekti IPA për asistencë në ndërtimin e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit, në përputhje me standardet komunitare për mbrojtjen e të dhënave, u zhvillua gjatë 18 muajve të fundit dhe u mbështet nga BE me një financim prej 4.5 milionë eurosh. (LajmeShqip.com)