Lajme Shqip Thursday, 19 July 2012 18:06

Tiranë Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Stefan Fyle përshëndet miratimin e Reformës Zgjedhore me konsensus sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Me anë të një deklarate, zëdhënësi i Fyle, Peter Stano shprehet, “Përshëndesim miratimin e amendimeve të Kodit Zgjedhor, në vijim të marrëveshjes ndër-partiake të arritur javën e kaluar në komisionin e posaçëm parlamentar. Si maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të përgëzohen për punën e mirë të përfunduar dhe për bashkëpunimin konstruktiv në këtë fushë.

Arritja e kësaj marrëveshje të rëndësishme përbën një hap domethënës përpara në përmbushjen e marrëveshjes politike të Nëntorit 2011 si dhe drejt arritjes së një prioriteti kyç të Opinionit. Megjithatë reforma zgjedhore nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të Opinionit, por është esenciale në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2013-ës”, thuhet në deklaratë. 

Komisionieri i BE i ka bërë thirrje forcave politike të vazhdojnë edhe reformat e tjera të rëndësishme, duke e vënë theksin fillimisht tek heqja e imunitetit. Fye tha se këto reforma të rëndësishme për integrimin, duhet të përmbyllen brenda shtatorit.

“Ne i bëjmë thirrje si maxhorancës qeverisëse dhe opozitës të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për priotitetet e tjera kyçe të Opinionit si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit.

Reformat për drejtësinë përbëjnë një faktor kyç drejt rrugë së integrimit në BE. Lidhur me këtë, votimi për reformën e sistemit të imuniteteve dhe për Gjykatën e Lartë, në përputhje me standartet Evropiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, theksohet më tej në deklaratë. 

“Ne inkurajojmë të gjitha palët të kontribojnë drejt përpjekjeve të mëtejshme intensive në këtë kontekst si dhe të tregojnë një sjellje konstruktive. Kjo është thelbësore për Shqipërinë për të avancuar në rrugën drejt BE-së gjatë këtij viti”, përfundon mesazhi. (LajmeShqip.com)