Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 14:30

Prishtinë-Bashkimi Evropian deklaron se do të reduktojë një të tretën e misionin policor dhe të drejtësisë në Kosovë, EULEX. Ndryshimet do të fillojnë të implementohen pas datës 14 qershor 2012, kur pritet të hyjë në fuqi mandati i ri.

Komandanti për Operacione Civile të BE-së, Hansjorg Haber, ka thënë se rezultatet nga Rishikimi Strategjik për EULEKS-in, do të çojnë drejt një misioni më të fuqishëm, më të sigurt dhe më efikas

Haber kështu ka thënë gjatë vizitës së tij në Kosovë, me ç’rast i është drejtuar stafit të EULEKS-it dhe po ashtu ka informuar autoritetet e Kosovës për detajet e rishikimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti.

“Tashmë dihet se EULEX-i do të ketë një konfigurim përmbajtjesor. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë të vazhdojnë mandatin edhe për dy vite. Do të ketë zvogëlim të numrit të stafit ndërkombëtar dhe atij vendor, veçanërisht në fushën e policisë dhe të doganës. Puna do të koncentrohet në fushën e drejtësisë, veçanërisht përmes mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Pritet që të ketë edhe burime shtesë të cilat do të vendosen në pjesën veriore të Kosovës”, njofton përmes një komunikate, zyra për informim e EULEKS-it.

“EULEX-i ka bërë një punë të shkëlqyer. Porse, ndërrimi i rrethanave nënkupton edhe ndërrimin e prioriteteve. Institucionet e Kosovës kanë arritur një progres të rëndësishëm disa fusha të sundimit të ligjit, prandaj misioni i EULEX-it duhet të reflektojë në pajtim me këtë progres. EULEX-i do të rifokusojë prioritetet e veta, do të rikonfigurohet dhe do të bëhet më i fuqishëm, më i sigurt dhe më efikas”, tha Haber. (LajmeShqip.com)