Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 18:24

Prishtinë – Bashkimi Evrpian mbështet Kosovën në fuqizimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në.

Tregtia, industria, politikat për NVM-të, doganat dhe tatimi ishin temat kryesore që u diskutuan në takimin e Dialogut për Procesin e Stabilizim Asocimit (PSA) të mbajtur sot, ku u analizuan zhvillimet në këto fusha, të cilat janë identifikuar në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian  për vitin 2011.

Zbatimi i konkluzioneve dhe veprimet pasuese pas këtij takimi do të jenë me rëndësi kyçe në përcaktimin e hapave të mëtejmë për Kosovën në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të BE-së, ku marrëdhëniet tregtare BE-Kosovë janë ndër prioritetet kyçe.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, në fjalën e tij riafirmoi gatishmërinë e BE-së për të mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në. 

“BE-ja është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare, duke përgatitur dhe trajnuar ata për të përmirësuar kapacitetin e tyre administrativ për zhvillimin e politikave tregtare, të cilat, sipas të gjitha mundësive, çojnë drejt lidhjes së marrëveshjeve tregtare. Sigurisht që kjo është një detyrë e vështirë, përderisa BE-ja e ka çkyçur derën e saj, i takon Kosovës që ta hapë atë dhe të hyjë brenda”, tha Zbogar.

Zv/kryeministrja kosovre dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se Kosova ka bërë përparim të dukshëm drejt fillimit të negociatave për Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë, ndërsa marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së janë përmirësuar.

“Konkluzionet nga Këshilli i Ministrave dhe kthimi i preferencave tregtare në mes të BE-së dhe Kosovës, të dyja këto të miratuara në fund të vitit të kaluar, paraqesin qëndrimin e qartë të BE-së se është arritur përparim në përmirësimin e marrëdhënieve tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së. Dëshirojmë që këto marrëdhënie të përmirësohen dhe të kalojnë në një fazë të re të bashkëpunimit, e cila parashikon Marrëveshjen për Tregti të Lirë me BE-në dhe thellimin e agjendës së integrimit”, tha ajo. 

Bashkimi Evropian dhe autoritetet kosovare po ashtu kanë diskutuar progresin e arritur në fushën e industrisë, politikave për NVM-të, doganave dhe tatimeve.

Takimet e Dialogut për PSA, konkluzionet e të cilit përfshihen në Raportin e ardhshëm të Progresit, organizohen bashkë me Ministrinë e Integrimeve Evropiane.