Prishtinë- Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri, Catherine Ashton, theksoi nevojën për përmbajte duke i bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të veprojnë përgjegjshëm në bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare.
Përdorimi i forcës, sipas saj, duhet të përjashtohet si mjet për zgjidhjen e problemeve.
“Përdorimi i forcës natyrisht se nuk do t’i kontribuonte situatës, nuk do ta përmirësonte e as nuk do ta qetësonte atë. Ne duam që të dyja palët të jenë të përmbajtura, të veprojnë përgjegjshëm dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ajo. Komenti i saj pason deklaratat e zyrtarëve kosovarë, të cilët nuk përjashtuan mundësinë e përdorimit të forcës për vënien e sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe kërkesat e opozitës që të veprohet sa më parë në këtë drejtim. (LajmeShqip.com)