Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 10:52

Bruksel (PLOTËSUAR 15:30) – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Sekretari i NATO-s e vlerësoi vizitën e Presidentes Bruksel dhe takimet e saj me zyrtarët e lartë evropianë, si të mirë dhe të frytshme në prezantimin e qartë të çështjeve aktuale dhe të vizionit të Kosovës.

Ai tha se forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe vlerësoi punën e saj në kryerjen e mandatit.

Rasmussen tha se NATO-ja ishte e shqetësuar me situatën e krijuar në veriun e Kosovës, por mirëpriti shtendosjen e saj në javët e fundit. Ai tha se NATO i jep mbështetje të fuqishme komandantit të KFOR-it dhe vlerësoi se marrëveshja e mirëkuptimit, e arritur me palët, e ka qetësuar situatën.

Sekretari i NATO-s tha se është me rëndësi gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe u angazhua për një progres më të madh në terren. Ai tha se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje.

Rasmussen tha se përkushtimi i institucioneve të Kosovës për integrimin e komuniteteve është i një rëndësie të madhe për të ardhmen e vendit. Ai e vlerësoi si të rëndësishëm dhe të dobishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Sekretari i Përgjithshëm tha se NATO do të vazhdojë që të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do ta përcjellë me kujdes të ardhmen e kësaj force.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë është institucioni më i vlerësuar dhe më i respektuar, që kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ajo tha se aksioni i Policisë së Kosovës, në pikat kufitare 1 dhe 31 ishte sipas vendimit të Qeverisë për zbatimin e masave të reciprocitetit dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo tha se kontrolli në të gjithë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të parandalimit të kalimit ilegal dhe kontrabandës, dëshmon përkushtimin e shtetit të Kosovës për të kontrolluar tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj. Jahjaga tha se vazhdimi i gjendjes së para 25 korrikut, në veri të Kosovës, do të linte pasoja për të dyja vendet dhe për gjithë rajonin.

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara për të normalizuar gjendjen dhe e vlerësoi arritjen e marrëveshjes të ndërmjetësuar nga KFOR-i.

Jahjaga tha se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje dhe theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë duhet që ta formësojnë të ardhmen e tyre në BE, si dy shtete të pavarura.

Ajo tha se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është shumë i rëndësishëm për vendin dhe theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës janë të orientuar drejt integrimit në BE. Presidentja theksoi se me gjithë faktin që shtetin e Kosovës ende nuk e kanë njohur katër vende të NATO-sm duhet të gjendet modaliteti që Kosova të marrë pjesë në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Presidentja e Republikës së Kosovës vlerësoi ndihmën e NATO-s në përgatitjen dhe aftësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale dhe tha se FSK do të duhej të merrte pjesë në nismat dhe misionet e NATO-s në rajon dhe botë.

Në takim, i cili ishte i mbyllur për media, u diskutuan edhe një varg çështjesh të tjera. (LajmeShqip.com)

*******************************

Bruksel (PLOTËSUAR 13:01) – Kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzhi Busek, i ka thënë presidentes Jahjaga se e pret thellimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pasi që për të gjitha shtetet e rajonin kusht i integrimeve është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët.

“Pres që Kosova të thellojë dialogun e saj me Serbinë dhe të bashkëpunojë me EULEX-in. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Parlamentit Evropian për të nisur dialogun për heqjen e vizave. Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe e ardhmja e juaj është në duart tuaja dhe plotësisht jam i bindur se Kosova mund të jetë storie suksesi e familjes evropiane”, tha ai.

Kryetari i Parlamentit Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Busek ka rikujtuar edhe njëherë Deklaratën e Parlamentit Evropian, të lëshuar në korrik, ku  Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë Greqisë dhe Qipros iu bëhej thirrje ta njohin Pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, të gjithë brenda BE-së dëshirojnë që Kosova të arrijë pajtimin, stabilitetin, demokracinë dhe perspektivën, pasi që kjo është e rëndësishme edhe për qytetarët në BE. (LajmeShqip.com)

**********************************

Bruksel – Kërkesa ime kryesore te zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian ishte ajo për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka thënë Presidentja e Kosovës Atifeta Jahjaga, gjatë vizitës së saj në Bruksel.

Shumë shpejt, në Kosovë do të vijë një ekip vlerësues i Komisionit Evropian që do të bëjë matjen e rezultateve të punës të institucioneve të Kosovës lidhur me këtë çështje, ka thënë ajo.

Presidentja Jahjaga sot në ditën e tretë të qëndrimit në Bruksel do të zhvillojë një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rassmusen. Temë e diskutimet do të jenë zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe roli i KFOR-it në forcimin edhe më të madh paqes dhe sigurisë në Kosovë. (LajmeShqip.com)