Lajme Shqip Friday, 07 December 2012 16:28

BRUKSEL– Ministrat e BE-së nuk do ti japin Shqipërisë statusin e plotë të vendit kandidat në BE gjatë takimit të javës së ardhshme në Bruksel, deklarojnë burime diplomatike për EurActiv.

Takimi pritet të mbahet më 10 dhjetor, ndërsa mësohet se një vend si Hollanda ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

Diplomatët perëndimorë kanë deklaruar për EurActiv se ata për momentin nuk presin një vendim për Shqipërinë, duke shtuar se vendi duhet të bëjë “më shumë”, për t’u kualifikuar, veçanërisht në plotësimin e 12 rekomandimeve të lëna nga Komisioni në raport-progresin e tetorit.

Mbajta e zgjedhjeve është një tjetër çështje shqetësuese, theksojnë diplomatët perëndimorë për EurActiv.

Duke qënë se Shqipëria do mbajë zgjedhje në muajin qershor të vitit të ardhshëm, Eur Activ thekson se ka shumë gjasa që vendimi i ministrave të BE-së të mos merret përpara se ata të sigurohen për zgjedhjet e mbajtura me standarde. Ata pritet të sigurohen që zgjedhjet të zhvillohen pa tensione si në rastet e mëparshme. 

Sic shkruan EurActiv ka shumë gjasa që Serbisë ti hapet drita jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit, gjithmonë nëse ka respektuar kushtet e vendosura, të tilla si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.(LajmeShqip.com)