Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 20:00

Shqipëria nuk rrezikon rikthimin e regjimit të vizave me vendet e hapësirës Shengen.

Zyrtarë të Komisionit dhe Parlamentit Europian konfrimuan, se shifrat e azilkërkuesve shqiptarë kanë një ulje të ndjeshme këtë muaj, krahasuar me gushtin, shtatorin apo tetorin.

Madje Parlamenti Europian ka vendosur që të ndryshojë propozimin e Komisionit Europian në rregulloren për rivendosjen e vizave afatshkurtra për vendet me numër të lartë azilkërkuesish, e cila pritet të kalojë në dhjetor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Komisioni Europian kërkonte që vendet të cilat në 6- mujorin e fundit e kanë numrin e azilkërkuesve 50% më të lartë se 6-mujorin e parë t’u rikthehen vizat, por për eurodeputetët, ky do të ishte një penalizim politik, prandaj do të propozojë që të mos flitet më për përqindje azilkërkuesish, por masa të forta mbrojtjeje.

Pasi në këtë mënyrë, penalizimi i Bosnjës dhe Shqipërisë, do të ishte i pandershëm, pasi në tërësi ato e kanë respektuar më fort këtë proces, po të kujtojmë që ishin vendet që e përfituan para nesh lëvizjen e lirë, Serbia Mali i Zi apo Maqedonia, ato që alarmuan vendet e Unionit.

Sidoqoftë, edhe me rregulloren e re, zyrtarët e BE-së konfirmojnë se Shqipëria nuk është problematike dhe nuk rrezikon të penalizohet.

Pati një numër në rritje azilkërkuesish në Belgjikë dhe me ndërhyrjen e qeverisë belge dhe asaj shqiptare nga ndëshkimi i tyre deri tek sensibilizimi me spote publicitare, ka ndikuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve, duke ulur në muajin nëntor ndjeshëm numrin e azilkërkuesve sikundër ne pjesën më të madhe të vitit ka qenë.
Po ashtu, zyrtarët e Bruskelit për herë të parë pas dy vitesh shprehen me optimizëm për zhvillimet politike në Shqipëri, duke apeluar ndaj palëve për një konsensus të qëndrueshëm.

Skenari pozitiv që po artikulohet shpesh në kryeqendrën e Evropës është se Shqipëria mund të marrë në mars statusin e vendit kandidat, kohë e mjaftueshme, sipas tyre që mazhoranca dhe opozita ta kompletojnë reformën zgjedhore dhe atë të procedurave parlamentare, si dhe të jenë parimisht dakord për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.

Theksohet marsi, pasi më tutje klasa politike do t’i përqendrojë energjitë tek debati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ndërsa hyn dhe në vitin elektoral për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.