Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 14:21

Prishtinë – Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdojnë të përsërisin se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës mund të hap rrugën drejt bllokut evropian për të dyja vendet, por refuzojnë që të thonë publikisht se a është apo a do të jetë edhe fati politik dhe administrativ i veriut të Kosovës pjesë e këtij dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në të njëjtën kohë ata nuk po mund që të përjashtojnë një mundësi të këtillë për rendin e ditës në një të ardhme.

Sipas Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së diplomacisë së BE-së Chaterine Ashton, tha se dialogu ka të bëjë me të gjitha “çështjet praktike” .

“Janë tre synime kryesore të këtij dialogu, që të promovohet bashkëpunimi rajonal, që të zgjidhen çështjet praktike në terren dhe heqjen e pengesave për të dy palët për rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, tha Kocijançiç në një intervistë për “Dtt-net.com”.

Lidhur me deklaratat e sekretarit të përgjithëshëm të OKB-së Ban Kim Un, i cili ka thënë se në dialog duhet të shpalosen edhe problemet e veriut, Kocijanqiq tha se e tëra që mun të thotë është se dialogu përfshinë “çështjet praktike”

“Mendoj se çështjet e përgjithshme, të cilat i përmenda, janë çështje të cilat reflektojnë për tërë territorin e Kosovës dhe ne po bisedojmë çështjet praktike për tërë territorin e Kosovës”

Zëdhënësja e Ashtonit sqaron se arsyet e dialogut kanë të bëjnë edhe me shtendosjen e marrëdhënieve të tensionuara midis Serbisë dhe Kosovës. Ajo përkujton se bashkëpunimi rajonal, në këtë rast midis Beogradit dhe Prishtinës është ndër kushtet që aspiruesit për hyrje në BE duhet që të plotësojnë.

Kocijancic ka thënë se bashkëpunimi rajonal është një nevojë absolute, ndërkohë ka thënë se të dy palët në bisedime do synojnë të çojnë përpara çështjet që janë shtruar në tavolinë.

Zëdhënësja e Ashtonit ka evituar që të komentojë deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm nga Serbia, të cilët dalëngadalë po shpalosin synimet politike të Beogradit ndaj veriut të Kosovës. Ajo thotë se nuk mund ta dijë kur do të përfundojë dialogu.

“Nuk mund të komentoj në deklarata të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, apo interpretime për skenar të mundshëm, por mund them qartë se ky dialog është për heqjen e pengesave për Serbinë dhe Kosovën në rrugën drejt BE-së, ka të bëjë me bashkëpunimin praktik në terren është për promovimin e bashkëpunimit rajonal, i cili është element esencial për perspektivën evropiane. Këto janë synimet kryesore në këtë dialog. Nuk mund ta di se si dialogu do të përfundojë, por ideja e jonë është që t’i arrijmë këto synime dhe gjatë procesit të dialogut t’i zgjidhim ato çështje të hapura që kanë të bëjnë me ligjin e rendin, lirinë e qarkullimit dhe bashkëpunimit në terren”, thotë ajo.

Ndryshe në Bruksel ka filluar raundi i katërt i bisedimeve në mes delegacionit nga Prishtina dhe atij nga Beogradi, i cili dialog po vazhdon dhe sot.