Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 11:00

Tiranë- “Bashkimi Evropian pret nga Shqipëria që të plotësojë 12 prioritetet për marrjen e statusit të vendit kandidat”, deklaroi dje ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes Shqipëri-BE për projekte në infrastrukturë dhe në fushën e të drejtave të njeriut.

“Fakti që BE e ka ruajtur nivelin e ndihmës drejt Shqipërisë dhe rajonit në tërësi gjatë një krize kaq të thellë, nuk mund të theksohet mjaftueshëm dhe nuk mund të merret si i mirëqënë”, tha ambasadori Sekui.

Në këtë kontekst, theksoi ai “pritshmëritë tona për rezultatet e kësaj ndihme nuk janë modeste”. Sekui i’u referua më pas rëndësisë dhe përgjegjësisë për adresimin e 12 prioriteteve të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, që janë: parlament funksionues, zgjedhje të lira dhe të ndershme, administratë publike meritokratike dhe profesionale, reformë në drejtësi, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sigurim i së drejtës së pronës, të drejtave të njeriut dhe reforma e burgjeve.

“Këto, shtoi Sekui, janë çështjet prioritare që Shqipëria duhet të adresojë për të marrë statusin e vendit kandidat dhe që ajo duhet të adresojë për të siguruar përmbushjen e aspiratave demokratike dhe europiane të shqiptarëve”.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, gjatë dy viteve të ardhshme, qeveria shqiptare do të mund të përfitojë nga një total prej 82 milion eurosh ndihmë nga BE në mbështetje të përpjekjeve për përmirësime në fusha strategjike.

Më konkretisht, financimi do të shkojë për mbikalimin e Vlorës, rrjetin e rrugëve rurale dhe konkurrueshmërinë e fermerëve, për njësinë e trajtimit të ujit në Velipojë, përfshirjen sociale të komuniteteve rom dhe egjiptian, drejtësinë dhe arsimin profesional. (LajmeShqip.com)