Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:46

Tetovë – Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH), i udhëhequr nga Bardhyl Mahmuti, ka përshëndetur të martën uljen e tensioneve mes partive politike shqiptare duke u angazhuar që kjo frymë e respektit reciprok të thellohet edhe më shumë dhe të kurorëzohet me një bashkim të forcave në interes të popullit shqiptar.

“Me qëllim të realizimit të të drejtave tona legjitime, BDSH kërkon nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, nga organizatat joqeveritare, nga intelektualët dhe personalitetet e jetës publike, nga rinia studentore,  nga emigracioni shqiptar  dhe nga të gjitha shtresat shoqërore që të bashkuar t’i dalim përballë dhe ta ndalim politikën që synon të na zhdukë nga territoret tona. Si BDSH jemi të gatshëm t’u shtrijmë dorën e pajtimit të gjithë atyre që janë të gatshëm që bashkërisht të realizojmë aspiratat kombëtare dhe të ndalim hovin e diskriminimit që aplikohet ndaj popullatës tonë”, thuhet në komunikatën e BDSH-së së Mahmutit. Sipas tij, krahas asaj se Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar të gjitha Konventat ndërkombëtare mbi parimet e të cilave funksionojnë demokracitë perëndimore, “në praktikë ky shtet vepron ndryshe duke aplikuar të gjitha format e dhunës, të terrorit dhe të diskriminimit ekonomik, politik, social, kulturor e fetar”.

“Diskriminimi i vazhdueshëm racial që shteti i Maqedonisë aplikon kundër shqiptarëve autokton, nga populli shqiptar i Maqedonisë krijuan një popull të shtypur, dhe ndër më të varfrit dhe të diskriminuarit në Evropë. Kjo politikë agresive dhe antishqiptare e institucioneve shtetërore të Maqedonisë është katalizator i konflikteve të reja në këtë shtet, dhe bartë me vete rrezikun e destabilizimit të Evropës Juglindore. Përballë kësaj situate tejet të vështirë me të cilin ballafaqohet populli shqiptar në Maqedoni, partitë politike shqiptarë përfundimisht duhet t’i lënë mospajtimet e tyre dhe të bashkuar të mbrojnë interesat kombëtare”, thuhet në reagimin e partisë së Mahmutit.