Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 13:41

Tetovë – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen me 5 qershor të këtij viti.

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, ka bërë të ditur se kryesia qendrore e partisë ka formuar edhe Shtabin qendror zgjedhor i cili ka për obligim të bëjë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme. “Kryesia Qendrore në mbledhjen e fundit diskutoi edhe për përpilimin e listave dhe kriteret që duhet t`i plotësojnë kandidatët për deputet. Listat do të bëhen jo vetëm në bazë të koordinimit brendapartiak, por kësaj radhe rol të veçante do të kenë edhe informatat kthyese nga terreni, respektivisht vlerësimi i elektoratit në rajone të ndryshme lidhur me punën e deritanishme të përfaqësuesve të tyre në organin ligjvënës”, ka thënë Ademi. “Kryesia qendrore ka biseduar edhe për programin zgjedhor të BDI-së, me ç’rast është vendosur që ky program të bazohet në shtyllat kryesore: Implementimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit, zhvillimi ekonomik i vendit, vazhdimi i reformave në shëndetësi, arsimi në të gjitha nivelet, ulja e varfërisë dhe ulja e papunësisë, proceset integruese duke inkuadruar këtu edhe zgjidhjen e kontestit të emrit të shtetit”, ka thënë Ademi. Lidhur me çështjen e Kodit zgjedhore, në pjesën që ka të bëjë me votimin e diasporës, sipas Ademit, “atyre u jepet mundësia e prezantimit të interesave të tyre dhe se do të kenë një zë në Parlamentin e Maqedonisë”. Ndërkohë, BDI duke vlerësuar kontributin se uniteti i diasporës është shumë i rëndësishëm, ka apeluar deri te, “Liga civile Shqiptaro-Amerikane”, NAAC-u dhe Federata Panshqiptare në Amerikë “VATRA”, si dhe shoqatat dhe klubet në Europë dhe Australi në të cilat ata janë të organizuar që të bëjnë konsultimet dhe të propozojnë kandidat të mundshëm për deputet, kandidat i cili do të ketë përkrahjen e BDI-së në zgjedhjet e qershorit.

“Fushata do jetë afirmative. Si gjithmonë BDI do të ofrojë programin zgjedhor dhe nuk do të bëjmë atë që zakonisht bëjnë të tjerët dhe të merremi me tjerët. Do të bëjmë një fushatë moderne duke përdorur të gjitha mënyrat e komunikimit me qytetarët. Rregullshmëria dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike është obligim i shtetit, prandaj ne si parti në pushtet do të angazhohemi që ky obligim edhe të plotësohet”, ka thënë Ademi.