Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 01:58

Të dashur miq,

Me pikëllim dhe dhimbje pranova lajmin për rënien në detyrë të ushtarakut shqiptar, Kapiten Feti Bedri Vogli si dhe plagosjen e rëndë të Nëntetar Aleksandër Jak Peçit, të cilët po përfaqësonin Shqipërinë në kuadër të misionit paqëruajtës të NATOsë në Afganistan.  Në këto çaste të rënda për familjen e viktimës dhe të plagosurit, ju lutem më lejoni të shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për rënien e Kapiten Voglit si dhe të uroj shërim të nëntetar Peçit dhe të të plagosurve të tjerë.

Gjithashtu, në emër të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, më lejoni të ngushëlloj drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë dhe t’i siguroj që shqiptarët e Maqedonisë qëndrojnë pranë tyre në këto momente të vështira. Ky akt dhune na bënë edhe më të vendosur që bashkë me aleatët tanë të shërbejmë në vendosjen e paqës dhe sigurisë, jo vetëm në Afganistan, por kudo në botë, të rreshtuar pranë miqve tanë ndërkombëtar për të promovuar vlerat e demokracisë.

Po këta miq, me të cilët sot po shërbejmë krah për krah, u vunë në mbrojtje të popullit shqiptar gjatë fundshekullit të kaluar dhe sot bashkarisht po promovojmë demokracinë dhe po bëjmë përpjekje për të ndërtuar të ardhmën euroatlantike të Ballkanit perendimor.

Me respekt,
Ali Ahmeti
Kryetar
Bashkimi Demokratik për Integrim
________________
Bamir Topi, President
Jozefina Topalli, Kryeparlamentare
Sali Berisha, Kryeministër
Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes
Republika e Shqipërisë