Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 14:44

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë sot shqyrton propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për përdorim të gjuhës që e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve në vend dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale si dhe propozim-ligji për ndryshim të Ligjit për përdorim të flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë.

Kjo me procedurë të shkurtuar është parashtruar të martën nga deputetët e BDI-së. Deputeti, funksionari i zgjedhur ose i emëruar nga Parlamenti i Maqedonisë, i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, ndërsa të cilin e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, në seancë të Parlamentit dhe në seancë të trupit punues, mund të flasë në atë gjuhë. Në vetëqeverisjet lokale ku më shumë se 50 për qind e popullatës janë pjesëtarë të bashkësisë, flamuri i saj do të mund të theksohet së bashku me atë shtetëror në objektet me karakter publik dhe lokal.

Vetëqeverisja lokale do të vendosë se kur do të përdoret flamuri i bashkësisë në jetën publike dhe zyrtare, parashikojnë ndryshimet e Ligjit për përdorim të flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë.

Edhe ky Propozim-ligj është parashtruar nga ana e deputetëve të BDI-së dhe do të shqyrtohet me procedurë të shkurtuar. Parashihet, gjithashtu, që flamuri shtetëror të jetë më i madh për një të tretën nga flamujt tjerë. Flamuri i bashkësisë do të theksohet gjatë ardhjes zyrtare të një përfaqësuesi të lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në ditë të mbajtjes së manifestimeve me karakter lokal dhe ndërkombëtar.  (LajmeShqip.com)