Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 15:56

Tetovë – Bashkimi Demokratik për Integrim, Dega në Tetovë, demanton deklaratat e zëdhënësit të PDSH-së Agon Ferati për gjoja kalim në PDSH të ish kryetarit të nëndegës së BDI-së në fshatin Brodec të Tetovës.

Njoftojmë anëtarësinë e BDI-së dhe opinionin e gjerë publik se kjo parti me dezinformata të kësaj natyre për të satën herë dëshiron të manipuloj me shqiptarët dhe nëpërmjet shpifjeve të tilla mundohet të arsyetoj vetveten dhe të mbulojë krimet e saj që  bëri ndaj banorëve të Brodecit në nëntor të vitit 2007.

Sipas zëdhënëses së Degës të Bashkimit Demokratik për Integrim Zeqiri drejtuesit e këtij grupacioni politik para se të raportojnë për goja aktivitete të tyre, bëjnë mirë ta njoftojnë opinionin publik për refuzimin që u është bërë nga  banorët e këtij fshati të malësisë së Tetovës.

Pas dështimeve të panumërta për të rekrutuar anëtarë të saj në Malësinë e Sharrit, dhe e vetëdijshme se që nga themelimi   kanë qenë të padëshirueshëm në këto zona, PDSH-së nuk i mbetet rrugë tjetër, që nëndegët e saja, t’i themeloj jo në terren por vetëm në press-konferenca për media.

Kryetari i Këshillit vendor të BDI-së në fshatin Brodec jo vetëm që vazhdon angazhimin e tij në radhët e BDI-së por së bashku me drejtuesit e partisë sonë në vazhdimësi kontribuon për të lehtësuar dhimbjet e këtyre banorëve  që PDSH-ja ua shkaktoi në vitin 2007.

“Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre historike dhe me bilanc negativ të punëve, këta zotëri në prag të fushatës elektorale për  paradoks  tentojnë të përfitojnë politikisht në një terren që vite me radhë i ka ndëshkuar me votën e tyre në të gjitha ciklet zgjedhore”, thuhet në deklaratën me shkrim të  zëdhënëses së Degës të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë, Shpresa Zeqiri.