Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 13:25

Shkup – Këshillat vendorë të partisë shqiptare në pushtet BDI, po punojnë intensivisht në harmonizimin e qëndrimeve rreth kandidatëve për deputetë. Deri të dielën ata kanë afat që në nivel lokalë të “shoshisin” emrat e mundshëm për deputetë dhe të njëjtit t’ia paraqesin Këshillit Qendror të partisë.

“Të dielën do të dihet lista e kandidatëve për deputetë e BDI-së. Pas saj do të zbardhen të gjitha spekulimet lidhur me listat e kandidatëve, kush do jetë e kush jo”, kanë thënë në partinë e Ahmetit.

Sipas burimeve brenda BDI-së mësohet se përparësi do t’u jepet emrave të rinj me të cilat thonë se do arrijnë t’i sfidojnë zgjedhjet kundrejt partive tjera shqiptare.

Nga ana tjetër, edhe në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), thonë se në nivel të degëve të kësaj partie punojnë në drejtim të krijimit të listave për deputetë.

“PDSH nuk e ka problem, posedon edhe resurse intelektuale edhe strukturë. Vendimet do merren nga organet e partisë. Mirëpo shumë shpejt ne do paraqitemi me listat për deputetë”, thonë në PDSH.

Demokracia e Re (DR), ende nuk ka marrë ndonjë vendim për listat e deputetëve. “DR për momentin merret me formimin e Shtabeve zgjedhore. Nuk ka asnjë vendim nga kryesia për listat e kandidatëve për deputetë. Në një nga mbledhjet e ardhshme të kryesisë së partisë do vendoset edhe kjo çështje në rend dite”, ka thënë zëdhënësi i DR-së Arijanit Hoxha.

Ai ka shtuar se prioritet i partisë së tij është programi parazgjedhor me të cilën do të paraqiten, e jo listat zgjedhore.

“Ne kemi platformë politike e cila ofron program për qytetarin”, ka thënë Hoxha.

Sipas rregullativave të Kodit Zgjedhor partitë politike listat për deputetë deri te KSHZ-ja mund t’i parashtrojnë 24 orë para mbajtjes së zgjedhjeve. Duke e pasur këtë mundësi ligjore mësohet se partitë shqiptare taktizojnë me listat e kandidatëve për deputetë me qëllim që të nxjerrën kandidat më të mirë kundrejt njëra tjetrës.

Nga shërbimet e Parlamentit mësojmë se deri të enjten e javës që vjen do shpërbëhet edhe Parlamenti dhe se partitë dhe figurat politike mund ta fillojnë fushatën parazgjedhore.