Lajme Shqip Sunday, 23 June 2013 10:52

Londër- Votimet janë hapur në Shqipëri, në zgjedhjet parlamentare që shihen si një test kyç për progresin që ka bërë vendi drejt rrugës për në Bashkimin Evropian. Kryeministri Sali Berisha po garon për mandatin e tretë por ai përballet me një garë të fortë nga lideri opozitar, Edi Rama, ish kryetar i Tiranës, shkruan BBC në artikullin e sotëm për zgjedhjet në Shqipëri. 
“Zgjedhjet në Shqipëri, një nga vendet më të varfra në Evropë, zakonisht janë përshkruar nga dhuna apo incidentete, që prej kur vendi u shkëput nga periudha e komunizmit dy dekada më parë”, shkruan BBC.
Më pas, jepet mesazhi i presidentit shqiptar, Bujar Nishani, dhënë në prag të mbajtjes së zgjedhjeve.
“Duhet të kemi parasyshë se rëndësia e këtyre zgjedhjeve qëndron në lidhjet tona me botën, me lirinë, me prosperitetin, fati i së ardhmes dhe të shkuarës janë lidhur ngushtë”, citon BBC deklaratën e presidentit Nishani. 
Berisha dhe Rama kanë premtuar vende të reja të punës, zhvillim ekonomik dhe reforma në taksa. Ata janë që të dy liderë pro europianë.

Rezultati në rrezik 

Analistët thonë se pyetja më e madhe qëndron rreth Komisionit Qendror Zgjedhor. Të shtunën, një diplomat perëndimor ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se KQZ “përbanë një rrezik për rezultatet, të cilat mund të kontestohen qoftë nga pozita qoftë nga opozita”. /Lajmeshqip/