Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 15:09

Më 9 dhjetor Bashkimi Evropian pritet të marrë vendime shumë të rëndësishme, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. E ndërsa pritet që kësaj të fundit, BE ti japë statusin e vendit kandidat, me Kosovën, ndërkaq, Komisioni Evropian pritet të fillojë negociatat zyrtare për procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare të “Zërit”, sipas të cilave BE-ja do të shpërblejë këto dy shtete, duke stimuluar në një anë Serbinë për të vazhduar dialogun me Kosovën, e në anën tjetër për të shpërblyer Kosovën për rolin e saj konstruktiv që ka pasur gjatë bisedimeve. “BE do t’i shpërblejë të dyja vendet. Nuk do të ishte në rregull që njëra palë të shpërblehej, e tjetra të ndëshkohej. Më 9 dhjetor pritet që të merren këto dy vendime nga ana e Këshillit të Ministrave dhe nga ana e Komisionit Evropian”, tha ky burim ndërkombëtar për të përditshmen “Zëri”.  Mundësinë e fillimit të negociatave me BE-në për procesin e liberalizimit të vizave nuk e kanë mohuar as zyrtarë të institucioneve të Kosovës.  

“Po, mund të ndodhë që pikërisht më 9 dhjetor të hapet zyrtarisht dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën, meqë me këtë datë Këshilli i Ministrave të BE-së do t’i diskutojë të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian”, ka deklaruar një ditë më parë Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane. Ajo shtoi se rekomandimet e KE-së, përkatësisht të komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, të bëra më 12 tetor, do të diskutohen me këtë datë. Madje pikërisht për këtë arsye, ministrja Çitaku do të udhëtojë drejt Brukselit.