Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 14:00

Tiranë – Administrimi dhe menaxhimi jo i mirë i mbeturinave që prodhohen nga komuniteti ose subjekte të ndryshme tregtare në Tiranë, është një nga shkaqet kryesore të ndotjes së mjedisit dhe si rrjedhojë e dëmtimit të shëndetit publik.

Nisur nga kjo situatë Bashkia e Tiranës, sheh të nevojshme krijimin e një industrie të veçantë për prodhimin e kazanëve e kontenierëve, pajisjeve e makinerive që merren me çështjen e menaxhimit të mbeturinave, e cila shoqërohet gjithashtu me ndotjet e veta në mjedis.

Energji dhe ndotje ajri gjithashtu gjenerohet për mbledhjen e transportin e mbeturinave nga lagjet e ndryshme të qytetit deri në vend-depozitën e Sharrës, 7 km larg nga qendra e qytetit.

Sipas Bashkisë fusha e grumbullimit në këtë zonë, është një nga rastet më serioze të keqadministrimit të mbeturinave. Sipërfaqja e këtij vendgrumbullimi, është në përpjesëtim të drejtë me sasinë e mbeturinave. Sa më pak të punohet për pakësimin e mbeturinave që në burim, për ripërdorim materialesh e riciklim të tyre, aq më shumë sipërfaqe toke do të duhet për vend-depozitë, tokë kjo e cila mund të ishte sipërfaqe e gjelbër. Pjesa më e madhe e mbeturinave urbane, jo industriale dhe spitalore grumbullohen dhe vetëdigjen në Sharrë, pasi mungojnë mjetet e nevojshme për kryerjen e përpunimit fillestar.

“Edhe sikur të praktikohej ripërdorim e riciklim në kushtet tona, duhet patur parasysh se këto procese kanë ndikimin e tyre në mjedis pasi kërkohen magazina grumbullimi, hapje biznesesh ricikluese, të cilat kanë nevojë për energji dhe fuqi punëtore më vete, pra kanë një kosto e cila ka ndikim në mjedis gjithashtu, dhe që mund të shmangej sikur të ishte pakësuar që në fillim prodhimi i materialeve ekstra, të destinuara për riciklim në një rast mirëmenaxhimi të mbeturinave, thuhet në studimin e Bashkisë.

Por studimi argumenton se edhe ripërdorimi gjithashtu ka koston e vet mjedisore, pasi për të ripërdorur materiale të caktuara, ka nevojë për lëndë të para shtesë, pra për harxhim burimesh të tjera natyrore dhe energji, transport materialesh e lëndësh të para etj, të cilat shoqërohen me ndotje të mjedisit.

Sipas specialistëve kushtet e cilësisë së ajrit paraqesin kërcënime serioze për komunitetin që riciklon mbeturina në këtë fushë. Një pjesë e popullsisë për të siguruar jetesën mbledh shishe qelqi, apo kanoçe alumini nëpër koshat e mbeturinave dhe në vend-depozitën e Sharrës.

Duke patur parasysh shkallën e lartë të ndotjes në këtë vend-depozitë, vetë jeta e këtyre personave rrezikohet prej infeksioneve e sëmundjeve të ndryshme. Vend-depozita vlerësohet nga specialistët si burim ushqimi për kafshë të ndryshme të cilat shërbejnë si përhapës të sëmundjeve e infeksioneve.

Në këtë kontekst, përmbajtja e mbeturinave që depozitohen në Sharrë, nga ky vend-shkarkim çlirohen metan e dyoksid karboni, që të dy gaze serrë, të cilët ndihmojnë në ngrohjen globale, grimca pluhuri dhe përbërje të tjera inorganike dhe organike me shkallë të lartë rrezikshmërie si dioksinat e furanet. Tymi dhe pluhurat toksikë që çlirohen ekspozojnë në mënyrë të vazhdueshme banorët e zonës përreth ndaj rreziqeve serioze për shëndetin.

Gjithashtu masat e ujit që rrjedhin nga dekompozimi natyror i mbeturinave kalojnë në ujërat nëntokësore dhe kontaminojnë ato përreth.

Sipas përllogaritjeve nga 1 ton mbeturina prodhohet mesatarisht 370 m3 gaz metan, por për shkak të faktit që jo të gjitha mbetjet janë të biodegradueshme, aktualisht mund të merret deri në 100 m3 metan.

Bashkia sheh të domosdoshme marrje e masave për të shmangur ndotjen e ujërave tokësore e nëntokësore. Kjo kërkon që vend-depozita të jetë e kontrolluar dhe e mirëmenaxhuar.

Specialistët vënë në dukje se hedhja abuzive e mbeturinave urbane në hapësirat publike shkakton ndotje të mjedisit.

Me rreth 600 mijë banorët e saj, Tirana prodhon deri më sot për çdo ditë 750 ton mbeturina ose 0.8 kg / banor /ditë mbeturina të cilat kualifikohen si mbetje të ngurta bashkiake.

Për pastrimin e mbetjeve bashkiake operojnë Ndërmarrja e Pastrimit, firma Bruçi (në pikat e kazanëve), firma Ecoacqua (në pikat e kazanëve në volum deri 1 m3), Ndërmarrja e Gjelbërimit, Firma ndërtimi (largojnë mbeturinat e aktiviteteve të tyre), etj.

“Mosvarësia e administrimit të mbeturinave të ngurta nga Bashkia e Tiranës përbën aktualisht një problem. Kjo si pasojë e mungesës së një vend-depozitimi të caktuar për grumbullimin e këtyre materialeve si dhe të një teknologjie të përpunimit të tyre”, vë në dukje studimi, i cili trajton edhe mbeturinat e tregjeve.

Në lidhje me mbeturinat industriale vihet re se Ndërmarrjet e mëdha si ish Kombinati “Misto Mame” në të cilin ushtrojnë aktivitetin e tyre disa biznese private, Kombinati Ushqimor, Fabrika e Këpucëve, Profarma, Fabrika e Porcelanit etj, e kryejnë vetë largimin e mbetjeve. Ndërsa  ndërmarrjet dhe punishtet e vogla i depozitojnë mbeturinat e tyre në kontenierët publikë duke shkaktuar mbingarkesën e këtyre konteinerëve, apo në disa raste i depozitojnë vetë mbeturinat në fushën e shkarkimit.

Aktualisht puna në Ndërmarrjen e Përpunimit të Mbeturinave është e organizuar me 3 (tre) turne duke mbajtur gjithmonë në gjendje gadishmërie fushën e depozitimit. Gjatë vitit 2003 në fushën e përpunimit të mbeturinave janë realizuar një sërë investimesh duke përmirësuar gjendjen e fushave të depozitimit dhe të rrugëve hyrëse në to. Gjatë 2004 në fushën e depozitimit të mbeturinave, Sharrë, u kryen punimet me objekt “Ndërhyrje emergjente për sistemimin e fushës së Sharrës “, me vlerë 190.000 Euro. Me këtë fond u realizuan, rehabilitimi i dy fushave ekzistuese dhe rrugëve hyrëse në to, ndërtimi i dy fushave të reja dhe ndërtimi i shtresave rrugore dhe asfaltimi i rrugës kryesore, plotësimi i ndriçimit, vendosja e portave dhe tombinot e kanalit. Në vend-depozitimin e Sharrës grumbullohen dhe vetë digjen pjesa me e madhe e mbeturinave urbane jo industriale dhe spitalore të Tiranës.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së pastrim – gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, sot në vend-depozitimin e Sharrës grumbullohen rreth 800 ton mbeturina në ditë, sasi kjo 8 herë me e madhe se ajo e mbeturinave të depozituara në fillim të viteve ’90 dhe afro 2 herë me e madhe se sasia e mbeturinave të depozituara në 1998.