Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 16:10

Tiranë – Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) ka vijuar gjatë ditës së martë aksionin për prishjen e ndërtimeve përgjatë zonës së Saukut të vjetër, për t’i hapur rrugën ndërtimit të unazës së madhe.

Aksioni, i ndërmarrë nga INUK, është në fazën e dytë të tij, fazë në të cilën përfshihet prishja e 40 ndërtimeve, një pjesë e të cilave pa leje, ndërsa pjesa tjetër në proces legalizimi apo me dokumenta të rregullta. Këto të fundit, në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, do të kompensohen me shumat përkatëse. Ndërkohë, që gjatë ditës së djeshme, dita e parë e fillimit të fazës së dytë, INUK ka hasur dhe rezistencën e pronarëve të ndërtesave, të cilët kërkonin siguri për kompensimin e pronës së tyre.

Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, Adem Dollapi, i njoftoi pronarët se në zbatim të ligjit, të gjithë banorët qe kanë pronat në proces legalizimi, apo të hipotekuara, do të marrin kompensimin që i takon. Ai në një intervistë për mediat theksoi se “i kemi njoftuar herë pas here pronarët e ndërtesave, të cilat përkojnë me trasen e unazës së madhe. Këto janë vlerësuar, janë kompensuar. Problemi është se këta nuk i kanë marrë paratë, pasi nuk kanë shkuar të bëjnë dokumentat. Në momentin që paraqesin certifikatën e pronësisë dhe një numër llogarie, nga Drejtoria e Rrugëve u kalon shuma përkatëse”, përfundoi ai.

Shembja e ndërtimeve në Sauk pason fazën e parë të këtij aksioni që nisi në 10 gusht me shembjen e 29 ndërtesave në zonën pranë Liqenit Artificial, hapësirë kjo që përbën lotin e parë të Unazës së Madhe.

Sipas projektit të bashkisë, Unaza e madhe e Tiranës do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babbru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës. Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh, të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës së Madhe kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit artificial dhe kodrat e Saukut.

Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2013 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë.