Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 15:40

Tiranë – Festat e fundvitit janë në prag dhe Tirana ka filluar të ‘vishet’ me dekor festiv për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.

Bashkia e Tiranës po kujdeset që kryeqyteti të mos dallojë nga metropolet e tjera europiane.

Burime nga ky institucion konfirmojnë për ATSH-në se ndryshe nga vitet e shkuara, përgatitjet për zbukurimin e kryeqytetit kanë nisur më herët dhe surprizat do të zbulohen shumë shpejt.

Rruga pedonale “Murat Toptani” do të jetë qëndra e surprizave për festat e fundvitit. Aty do të ngrihen rreth 40 shtëpi dimri, të cilat nga nesër do t’u afrojnë qytetarëve argëtim dhe produkte të ndryshme.

Shtëpitë e dimrit për Vitin e Ri do të funksionojnë për një muaj si një një treg i hapur, ku do të tregtohen ushqime, pije, dekorime krishtlindjesh, ornamente tradicionale, etj.

Këto shtëpi do të dekorohen me drita dhe pemën e krishtlindjeve, duke krijuar një atmosferë të veçantë festive, nga ora 09:00-23:00 të mbrëmjes.

Bashkia e Tiranës ka programuar aktivitete të përditshme për fëmijët dhe grupmosha të tjera.

Sot pasdite, ashtu si në shumë kryeqytete perëndimore, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do të ndezë në qendër të Tiranës pemën e Vitit te Ri me një gjatësi prej rreth 14 metrash.