Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 16:41

Tiranë – Qytetarët e Tiranës, gjykojnë se Bashkia e Tiranës ka përmirësur përformancën e punës dhe besueshmërinë e administratës së saj.
“Po shohim që po hapet sheshi “Skendërbej”. Punimet që u zvarritën prej dy vitesh, tani po mbarojnë brenda një kohe të shkurtër. Më në fund do kemi ku të kalojmë”, tha Rajmonda Karapici një qytetarë, e cila gjendej në Bashkinë e Tiranës, për të caktuar një takim me kryebashkiakun Basha.

Sipas saj Bashkia, ndryshe nga më parë, është dinamike në veprimtarinë e saj. “Personalisht veçoi mbajtjen e premtimit për kartën e studentit, nga e cila do të përfitojnë dy fëmijët e mi”, tha ajo, duke shtuar se “kam besim që bashkia po punon për të qënë më afër nesh”.

“Nga media po shohim që Bashkia e Tiranës po rrit edhe interesin e institucioneve të huaja”, tha një tjetër qytetare, Zamira Xhika, e cila shpreson se bashkëpunimet me institucione të huaja do të bëjnë të mundur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës në Tiranë.

Duket sikur fokusimi i Bashkisë së Tiranës në nevojat emergjente të qytetarëve, një ndër angazhimet e shpallura prej Bashës që ditën e parë të marrjes së detyrës si Kryebashkiak, ka përmirësuar besueshmërinë në publik.
Në fund të 100-ditëshit të parë, qytetarët kanë dëgjuar përmbushjen e programit të premtuar nga Basha, që konsistoi në ngritjen e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, nxitjen e investimeve, të biznesit, të punësimit si dhe të strukturave që garantojnë konsultim të vazhdueshëm me qytetarët dhe grupet e interesit.
Premtimi që ka krijuar impakt te qytetarët, është ai i eliminimit të 60 taksave e tarifave vendore. “Për çdo shërbim, qoftë edhe për një çertifikatë kemi paguar”, tha qytetarja Xhika, duke i konsideruar këto pagesa të pajustifikueshme.

Qytetari, Gazmend Mara, vlerëson një sukses të arritur nga Bashkia e Tiranës adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave pa tapi prej gati 10 vitesh. “Është një zgjidhje konkrete për pallatet e reja, është për t’u përshëndetur”, tha ai.  

Këtë nisëm të Kryebashkiakut Basha, e ka përshëndetur Shoqata e Ndërtuesve dhe Konfindustria Shqiptare, të cilat vlerëuan se dhënia e hipotekave do t’i japë shtysë shitjes së banesave dhe do të çlirojë një kapital të konsiderueshëm në ekonominë e vendit.
Qytetarët vlerësojnë edhe masat që do të marrë Bashkia ndaj subjekteve që abuzojnë me çmimet. Gazmend Mara tha se “është shqetësues fakti që një produket apo shërbim e gjen me çmime të ndryshme në dyqane të ndryshme. Dikush duhet të përgjigjet për këtë”.
Në shërbim të konsumatorit është hapur dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, një strukturë që do të luaj një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Tiranës nëpërmjet investigimit dhe hulumtimit.
Qytetari Mara gykon se “Tirana ka mjaft probleme dhe çështje që kërkojnë zgjidhje, por shpresojmë që Bashkia të tregojë edhe në të ardhmen këtë lloj përkushtimi për ne dhe qytetin”.