Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 13:50

Tiranë – Bashkia e Tiranës nisi një aksion në të gjithë qytetin për kontrollin e shitjes së lëndëve me rrezikshmëri, veçanërisht ato plasëse dhe helmuese. Këto inspektime do të vijojnë në mënyrë periodike për të arritur një kontroll të plotë për standardet e sigurisë në tregtimin e këtyre lëndëve, për të garantuar jetën e qytetarëve.

“Aksioni është shtrirë në 4 pikat kryesore ku tregtohen këto produkte, siç është tregu çam, sheshi “Avni Rustemi”, tek Medreseja dhe më poshtë tek Stacioni i Trenit, 4 pika ku sistematikisht tregtohen këto produkte të rrezikshme, lëndë plasëse, ndezëse. Ne do të vazhdojmë kontrollet edhe për produkte të cilat kanë përbërje helmuese, kimike, insekticide, pesticide, në mënyrë që të rrisim standardin e shërbimit ndaj qytetarit të Tiranës dhe mbi të gjitha cilësinë dhe të sigurojmë jetën e tyre”, u shpreh Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi.

Aksioni po kryhet në bashkëpunim të plotë me strukturat e Zjarrfikësve si dhe të Policisë Bashkiake.

Drejtori i Zjarrfikësve, Dilaver Laçi, u shpreh se do të bashkëpunohet ngushtë me Bashkinë e Tiranës për të parandaluar çdo lëndë ndezëse e tregtuar jashtë kushteve të lejuara me ligj.

“Së bashku me Policinë Bashkiake, Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit, ne do të vazhdojmë të kontrollojmë të gjithë bizneset. Pragu i Vitit të Ri ka një rrezik të shtuar për fishekzjarrët dhe mjetet e tjera ndezëse. Për këtë arsye, në ditët në vijim do të ketë një kontroll më të rreptë nga ana e shërbimit Zjarrfikës dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, ndërkohë që edhe me Policinë Bashkiake ka një bashkëpunim shumë të mirë”, tha Laçi.