Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 20:00

Tiranë – Bashkia e Tiranës hapi sot Qendrën për Mbrojtjen e Fëmijëve në Tiranë, në ditën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. Bashkia e Tiranës organizoi disa aktivitete, duke hapur të parën qendër për mbrotjen e fëmijëve në njësinë Bashkiake nr 4.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, tha se është përgatitur një paketë sociale për t’i ardhur në ndihmë të gjithë fëmijëve në nevojë, duke u siguruar atyre shërbimet si ato shëndetësore, arsimore, të edukimit etj.

“Bashkia e Tiranës është duke identifikuar dhe përgatitur një paketë sociale, e cila do të ketë rëndësi shumë të madhe për të gjithë politikat sociale të përgatitura në nivel qendror dhe si do i zbatojmë ne këto, në nivel lokal. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është një nga fushat kryesore ku ne do të përqëndrohemi dhe do të punojmë”, tha Tabaku në ceremoninë e hapjes së kësaj qendre pranë Qendrës “Ten” në Tiranë.

Nënkryetarja e Bashkisë evidentoi 3 prioritetet kryesore për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë, duke nisur me arsimimin.

Sipas saj, në bashkëpunim me njësitë bashkiake, do të përpiqemi për të identifikuar të gjithë fëmijët, të cilët janë në nevojë, të cilët janë në komunitete, janë vulnerabël dhe nuk kanë mundësi të arsimohen, për t’i ndihmuar e për t’i përfshirë në sistemin arsimor si dhe do të përfitojnë asistencën sociale dhe shëndetësore.

Krahas evidentimit të fëmijëve në nevojë, Bashkia do të kalojë përgjegjësitë dhe detyrat e saj pranë njësive bashkiake.

Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve pranë njësisë Bashkiake nr 4 do të shtrihet në të gjitha minibashkitë e kryeqytetit, në mënyrë që çdo zonë e kryeqytetit të ketë zyrat e posaçme për asistuar fëmijët në nevojë.

Në konferencën e organizuar së bashku me donatorët si UNICEF etj, u evidentua se punonjësi i kësaj njësie do të koordinojë të gjitha rastet e fëmijëve në rrezik, viktima të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit, trafikimit apo fëmijëve të përjashtuar nga shoqëria, duke u cënuar të drejtat jetike.

Po sot, nënkryetarja Tabaku priti dhjetra fëmijë të tri qendrave komunitare në sallën e Këshillit Bashkiak, të cilët kishin paraqitur punimet e tyre në një panair pranë rrugës për këmbësorë “Murat Toptani”.

Tabaku vizitoi së bashku me fëmijët punimet e tyre, ndërsa ata të gjithë së bashku do të evidentonin dëshirat dhe problemet e tyre në një letër drejtuar Kryetarit të Bashkisë, z. Lulzim Basha.

Znj Tabaku u shpreh se Bashkia e Tiranës do të bëjë çdo përpjekje për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që enden rrugëve të kryeqytetit.

“Sot janë rreth 100 fëmijë, të cilët fatkeqësisht jetojnë dhe punojnë në rrugë, por përmes qendrave sociale që ne kemi, kemi bërë të mundur që ata të integrohen.  Ekzistojnë disa qendra sociale me shërbime ditore për këta fëmijë. Çdo ditë, Bashkia e Tiranës trajton 350 të tillë, të cilët nga situata e rrugës përpiqemi t’i arsimojmë e edukojmë në një farë mënyre dhe sot në ditën e mbrojtjes së të drejtave të tyre, fëmijët besoj se i patë ishin së pari në Bashkinë e Tiranës dhe së dyti, këtu kishin përgatitur disa punime që shprehnin të drejtat e tyre”, tha Tabaku, duke falenderuar drejtuesit e këtyre qendrave komunitare dhe organizatave për mbrojtjen e fëmijëve si “Save the Children”.