Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 11:19

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, shpërndau sot 40 bursa për të rinj kryeqytetas në nevojë, të cilët do të kualifikohen në kurse të ndryshme të formimit profesional.
Në kuadër të projektit të bashkisë së Tiranës “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit”, në ceremoninë e organizuar me këtë rast në qendrën “Don Bosko”, kryebashkiaku Rama tha se programi i kurseve profesionale për të rinj i bashkohet programeve sociale ndaj familjeve në nevojë.
“Të rinjtë dhe të rejat që janë këtu sot kanë dëshirë për punë dhe janë gati të përballen me një punë të ndershme, por për shkak të vështirësive sociale në familjen e tyre dhe pamundësisë fizike e kanë pasur të pamundur që ta kenë punën që dëshirojnë. Por, sot për ta fillon realizimi i një ëndrre, në rrugën e së cilës bashkia do t’i mbështesë në vijimësi”, tha Rama.
Duke u ndalur tek strehimi social, kryebashkiaku iu referua ndërtimit të bllokut të parë që bashkia ka projektuar dhe siç tha ai, “ku ne dëshirojmë të integrojmë një pjesë të të rinjve, që do të marrin pjesë në programin e bashkisë, duke iu krijuar mundësinë që të kenë hapësirë e ta vendosin biznesin e tyre në atë territor, ku tashmë është drejt përfundimit blloku i parë i banesave sociale”.