Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 19:30

Fier – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, nën moton “Të gjithë kemi përgjegjësi të luftojmë korrupsionin”,  bashkia e Fierit organizoi sot një takim sensibilizues, me synim për t’i dhënë një mision të qartë luftës kundër këtij fenomeni.

“Korrupsioni vazhdon të mbetet një ndër plagët që minon përparimin shoqëror, pengon progresin dhe ushqen pabarazinë dhe padrejtësinë”, u shpreh gjatë takimit nënkryetari i bashkisë së qytetit, Florian Muçaj.

Për t’i dhënë një mision të qartë luftës kundër korrupsionit, Muçaj bëri të ditur se nga ana e institucionit që ai drejton, disa herë janë zhvilluar anketime tek qytetarët lidhur me opinionin e tyre për nivelin e korrupsionit, ndërkohë që në dispozicion të tyre, ai tha se është vënë një kuti transparence, ku ata të mund të shfaqin ankesat për çdo rast të evidentuar.

“Secili qytetar, i cili ndihet i detyruar që kundrejt një shërbimi nga ana e bashkisë, të paguajë rryshfet, duhet të denononcojë rastin, duke u bërë kështu  pjesë e nismës sonë”, u shpreh Muçaj.

Ndërkohë që bashkia, sipas drejtuesit të saj, është e vendosur të krijojë mekanizma të qëndrueshëm për menaxhimin dhe parandalimin e keqpërdorimit të të ardhurave publike.

Beteja kundër korrupsionit është e vështirë, por nëse të gjithë bashkëpunojmë për ta luftuar atë, ne do t’i hapim rrugë krijimit të së ardhmes së sigurtë për fëmijët tanë”, u shpreh Muçaj.