Prishtinë- Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit dhe ish luftëtari i UÇK-së në Zonën e Operative të Llapit, Avni Ajeti thotë se vrasja e Zahir Pajazitit ndodhi për shkak se informacionet për aktivitetin e tij rrodhën nga UÇK-ja. Ai i bën thirrje Nait Hasanit të flasë për vrasjen e Zahir Pajazitit, duke hedhur dyshimet se informacionet për aktivitetin e Zahirit mund të kenë rrjedhur nga ai.
Në një intervistë të gjatë për Standardi.info, Ajeti tregon se si po keqpërdoren vlerat e luftës dhe se ish –udhëheqës të saj, në emër të luftës u pasuruan. Ai flet edhe për vrasjen e Ilir Konushevcit, të cilën e lidh me FARK-un. Thotë se UÇK-ja kishte buxhet, jo miliona, por miliarda, që janë keqpërdor nga njerëzit që sot udhëheqin me pushtetin. Veteranët dhe aplikimet po shfrytëzohen për pazare politike. Nuk pajtohet me kritikat e Demaçin i cili kohë më parë kishte thënë se llapjanët i kanë ikur luftës. Tregon se si ndaj tij dy herë është bërë atentat.
Më poshtë mund a lexoni të plotë intervistën me Avni Ajetin:
Pse kanë aplikuar kaq shumë për ta marr statusin e veteranit të UÇK-së?
Po dikush e ndien si mungesë që s’ka arrit ta japë kontributin e vetë për këtë vend dhe tash provon të barazohet me të tjerët që kanë luftuar.
A kanë aplikuar shumë edhe në zonën e Llapit, sikur në zonat tjera?
Në Zonën e Llapit, sepse jam kompetent të flas, rreth aplikimit të veteranëve, mundemi të flasim se kanë qenë në luftë rreth 2 mijë ushtarë, mos të themi 1 mijë e 800, afër 2 mijë. Tash kanë aplikuar rreth 4 mijë.
Pse ky numër kaq i madh?
Po dikush ka deshtë të tregohet patriot, siç kemi raste pas lufte që kanë nxjerr libreza të lloj- llojshme, kanë falsifikuar… Tash të shprehem pak ma popullorçe. Kur ka qenë koha të hahet pasuli kokrra- kokrra, dikujt s’ia ka hanger me dal në front, e tash dalin edhe përfitojnë do matrapaz, e do njerëz që as erën e barutit nuk e dinë.
A ka pasur manipulime me libreza të veteranëve?
Shumë. Kur them shumë, e them me përgjegjësi.
Edhe nga organizatat e UÇK-së?
Edhe organizatat, faktikisht, sepse organizatat e veteranëve në nivel vendi janë dirigjuar nga politike.
Prej kujt konkretisht janë dirigjuar, a keni ndonjë emër?
Ajo dihet…
A është keqpërdor UÇK-ja pas lufte?