Lajme Shqip Thursday, 06 March 2014 12:59

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili u ka dalë në krah dhe ka angazhuar deputetët e tij në krye të protestave e furgonëve, është pikërisht ai që në 7 dhjetor të vitit 2005 ka urdhëruar që furgonët taksi 8+1 në kthim të mos marrin pasagjerë.

 
Është ende e paqartë pse tashmë që PD-ja nuk është në pushtet Basha ka ndryshuar qëndrim dhe të kërkojë të shkelet ligji dhe urdhëresa e lëshuar prej vetë atij dhe furgonët të vijonë të marrë pasagjerë ku të munden duke sjellë një model të konkurrencës së pandershme.
 
“A1Report” ka siguruar udhëzimin që mban numrin 1382 ku ndryshon pikën 8 të Udhëzimit numër 370 të datës 28.01.2004 “Për modelet e licencave, lejeve, certifikatave dhe autorizimeve për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor” dhe pikërisht modelin 108 duke shënuar se “Autoveturat taksi të kthehen bosh në rrethin e origjinës. Në kthim, ato lejojnë të marrin udhëtarë vetëm brenda territorit të rrethit, targën e të cilit mbajnë”.
 
Në atë kohë Lulzim Basha, ministër I Transporteve ka kërkuar edhe hyrjen në fuqi menjëherë të udhëzimit.
 
Dhe është pikërisht ky udhëzim që Ministria e Transporteve i ka kërkuar policisë rrugore që të zbatojë dhe që ka sjellë irritimin e drejtuesve të furgonëve 8+1, edhe pse në licencat përkatëse e kanë firmosur se do e respektojnë.