Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 06:27

Tiranë – Kandidati i koalicionit të djathtë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte i ftuar sot në takimin e parë promovues nga grupimi “Iniciativa për Tiranën” me intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët diskutuan rreth një vizioni të ri për Tiranën.

Kandidati demokrat per Bashkinë e kryeqytetit, Lulezim Basha ndoqi me interes diskutimin e hapur mbi Tiranën dhe në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, vlerësoi rëndësinë e këtij paneli, duke folur edhe për platformën e tij elektorale.

“Pres me kënaqësi çdo ftesë për t’u angazhuar në një debat të tillë dhe siguroj se angazhimi im do të jetë vetëm në frymën e kontributit dhe përgjegjësisë, që marr përsipër në këtë garë për të përfaqësuar sa më mirë platformën për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve për rrugën drejt një Tirane me një plan afatgjatë zhvillimi, jo me një plan pa plan, që nuk i shërben qytetarëve, por vetëm një grupi të vogël me interesa të ngushta personale”, tha Basha.

Ai e vlerësoi pjesëmarrjen në panelin e sotëm, si “realizim të ëndrrës së tij”.

“Para se unë të shpall kandidaturën për të qenë në krye të Tiranës, prej kohësh e kam ëndërruar që të rizgjoj të gjitha energjitë për t’i vënë ato në dispozicion të Tiranës dhe banorëve të saj. Me praninë time në këtë panel për iniciativën e Tiranës, dëshmia më e mirë është se energjitë e jashtëzakonshmte të këtij qyteti, për të cilat shpesh kemi frikë se nuk ekzistojnë më, janë zgjuar dhe po rrjedhin drejt interesave të qytetarëve”, tha kandidati demokrat për kreun e bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha.

Duke u ndalur tek takimet që ka patur me banorët e Tiranës gjatë fushatës së tij elektorale, Basha bëri të ditur se ka dëgjuar jo vetëm hallet dhe shqetësimet e tyre për Tiranën, por edhe vizionin e tyre për të ardhmen e saj, shpresat për të ardhmen.

Duke ju drejtuar pjesëmarrësve në panel, Basha tha se “ajo ç’ka përfaqësoni, është për një pikëvështrim edhe më të dobishëm dhe të drejtpërdrejtë. Armët tuaja, sikundër të çdo intelektuali, janë dy: lufta për të vërtetën dhe interesi publik dhe këto janë të pazevendësueshëm, ashtu sikurse është edhe për vetë zotin Rama. Realiteti politik e ka llogorizuar diskursin politik dhe ka një përpjekje që ta llogorizojë edhe më tej dhe të na fusë të gjithëve në një llogor, që nuk i shërben askujt”, tha ai.

Në këtë luftë, tha Basha, “kandidimi im për kryetarin e Bashkisë nuk është një garë, apo një luftë, por një kontribut, për të cilën jam i vendosur për të dhënë vizionin dhe platformat e mia për Tiranën, në funksion të shqetësimeve dhe vizionit të qytetarëve për të ardhmen e Tiranës dhe kurrsesi jo si një luftë”.

Basha siguroi se angazhimi i tij do të jetë në frymën e kontributit dhe përgjegjësisë që ai do të marrë përsipër në këtë garë për të përfaqësuar sa më mirë platformën për zgjdhjen e problemeve të qytetarëve, rrugën drejt një Tirane me një plan afatgjatë zhvillimi.