Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 11:56

Tiranë- Tirana është model i bashkëjetesës fetare u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi të shtunën në Bashkinë e Tiranës me zonjën Hannah Rosenthal dhe zonjën Farah Pandith, të dërguarat e posaçme të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe Kongresit Amerikan.

Zyra e shtypit e Bashkise se Tiranes bëri të ditur sot se, zonja Rosenthal dhe zonja Pandith kanë vlerësuar klimën e shkëlqyer të tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, një shembull në mbarë botën, siç e cilësuan ato.

Në veçanti ato shprehen  një mirënjohje të thellë për popullin shqiptar, i cili gjatë holokaustit nuk dorëzoi asnjë nga hebrenjtë e tij në duart e nazistëve, por, përkundrazi, i mbrojti, strehoi dhe i shpëtoi ata.

Zonjat Hannah Rosenthal dhe Farah Pandith i bënë të ditur zotit Basha se në një mesazh promocional që ato kanë bërë të titulluar “2011 haurs against hate” kanë cituar rastin e Shqipërisë si shembull për mbrojtjen që i bëri komunitetit hebre gjatë holokaustit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e konsideroi shumë të rëndësishëm mision e tyre sikundër vlerësoi kontributin që SHBA japin çdo ditë për konsolidimin e tolerancës dhe harmonisë midis komuniteteve fetare apo etnike në botë.

Basha nënvizoi se Tirana është një nga qytetet ku shembulli i bashkëjetesës fetare është i prekshëm në çdo cep. Po kështu zoti Basha tha se po bëhen përpjekje të mëdha për të luftuar diskriminimin. Për këtë arsye një zyrë e posaçme është hapur në Bashkinë e Tiranës.

Zonjat Hannah Rosenthal dhe Farah Pandith ndodhen në Shqipëri në kuadër të misionit të tyre, të mandatuar nga Kongresi Amerikan, për raportimin dhe informimin e autoriteteve amerikane dhe Kongresit përsa i përket antisemitizmit, por edhe mosdiskriminimit, tolerancës fetare e etnike në botë.

Shqipëria është përzgjedhur, sipas tyre, për evidentimin e modelit pozitiv përsa  sa i takon harmonisë dhe tolerancës fetare, si dhe mbrojtjes ofruar komunitetit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të shoqëruara nga zotit Basha, ato vizituan edhe xhaminë e Tiranës, e cila është edhe një monument me vlera historike. (LajmeShqip.com)