Lajme Shqip Thursday, 01 August 2013 12:19

Tiranë – Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me kryetarin në detyrë të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Ëilton. Takimi që zgjati pak më tepër se 30 minuta, u zhvillua në selinë blu. Ambasadori Ëilton e ka uruar Bashën për marrjen e detyrës së kreut të ri të Partisë Demokratike.

Në përfundim të takimit, kryetari i PD-së doli përpara gazetarëve, duke hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, pas publikimit të përbërjes së qeverisë së re. Sipas Bashës, Rama ka mbledhur rreth vetes shpifësit më të zellshëm, protagonistë të trafiqeve dhe persona të paaftë, që do t’i shërbejnë vetëm interesave të tij personale dhe jo qytetarëve.

“Qeevria e re përbëhet nga sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë për 8 vitet e fundit, protagonistë të lidhjeve me trafiqe. Një ekip që mbledh paaftësinë, mungesën e eksperiencës shtetërore, mediokritetin intelektual, duke lënë jashtë vlera të PS-së, dhe duke përfshirë kamikazë personale. Edi Rama shpiku rregulla të paqëna në funksion të kapjes dhe mbajtjes së të gjithë pushtetit për veten tij.”- u shpreh Basha.

Dy ditë më parë, Basha u takua edhe me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, të cilit i ka paraqitur një sërë shqetësimesh të Partisë Demokratike si për ato që i cilëson si manipulime në zgjedhje ashtu edhe për paralajmërimet e mazhorancës së re për spastrime në administratë.

Ky është takimi i dytë që Basha zhvillon si kryetar i Partisë Demokratike. Ai u zgjodh në krye të PD-së në 22 korrik me një diferencë të thellë votash ndaj rivalit të tij Sokol Olldashi./BW/Lajmeshqip/