Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 17:20

Tiranë – Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë për revistën Mapo, ku refuzon që fitoren e tij të thellë me 80 përqind ta konsiderojë si një përmbysje të raporteve në parti.
“Ky rezultat për mua është një inkurajim shumë i madh. Partia Demokratike bëhet gati të zbarkojë në terren opozitar përballë një mazhorance të ardhur në pushtet nëpërmjet një deformimi të votës më 23 qershor,” thotë Basha.
Sa i përket komenteve pas garës për kryetar partie, Basha thotë se nuk ka garë pa kontestime. “Zërat e komentet pas procesit janë pjesë e kulturës së hapjes dhe debatit të brendshëm të çdo anëtari”.
Duke folur për kundërshtarin e tij, Sokol Olldashi, Basha thotë shkurt: “Kemi pasur një bisedë telefonike ku më ka uruar”.
Basha thotë se nuk ka rrezik përçarje në PD, pavarësisht kritikave.
“Ne nuk jemi Partia Komuniste e Kubës apo Koresë së Veriutr. Kemi krenarë për trashëgiminë që kemi”.
“Në politikë gjithsecili hyn me vlerat e veta njerëzore, me kapitalin personal a profesional. Por në Partinë Demokratike i gjithë brezi, të cilit unë i takoj, e kemi rritur shtatin në një shkollë politike dhe kjo shkollë politike e ka emrin Sali Berisha”, thekson Basha,.
Kryetari i ri premton se “do të bëhet analiza e zgjedhjeve e plotë dhe e thelluar, por pa u ligështuar brenda këtij procesi, në mënyrë që PD të ketë fokusin dhe energjinë e duhur për të ndërtuar strategjinë e re opozitare që do të jetë një proces organik dhe gjithëpërfshirës, ku çdo anëtar do të thotë hapur dhe pa doreza mendimin e tij”, raporton tema. 
Basha thotë se do të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj qytetarëve të Tiranës si kryebashkiak.
Duke komentuar marrëdhëniet e tij me Ilir Metën, Basha thotë: “Kundërshtari unë politik, ndonëse përbëhet nga dy formacione politike, sillet si një i vetëm. Ndaj do të ishte iluzive dhe absolutisht joproduktive për opozitën në tërësi, për Partinë Demokratike në veçanti, për anëtarësinë tonë, të ushqejmë veten me iluzione një muaj pas rezultatit të 23 qershorit”.