Lajme Shqip Sunday, 16 February 2014 17:24

Partia Demokratike e Shqipërisë ka mbledhur sot aktivin e Tiranës prej nga kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha u ka bërë edhe një herë thirrje qytetarëve për t’u bashkuar në protestën popullore të 20 shkurtit kundër mashtrimeve kolosale të qeverisë Rama-Meta.

Sipas Bashës, qytetarët duhet të bëhen bashkë në këtë protestë për të mos lejuar zhbërjen nga ana e kësaj qeverie të arritjeve të mbi 20 viteve demokraci, raporton “Shqiptarja”.

“Kush kërkon të mësojë dhe të kuptojë se përse po bëhet keq e më keq çdo ditë e çdo jave me këtë qeveri, përgjigjen e gjen të mashtrimet qeveritare dhe dështimet e saj. Të enjten në 23 vjetorin e rrëzimit të Enver Hoxhës kemi thirrur marshimin e protestës popullore kundër mashtrimeve dhe dështimeve të Ramës dhe Metës. 20 shkurti është gdhendur si dita e madhe e Tiranës demokratike, që bëri e para ndarjen e madhe. E tillë do të jetë dhe duhet të jetë kjo ditë brez pas brezi. Të gjithë në sheshin e historisë për të përkujtuar ngjarjen e madhe dhe mesazhet e saj të gjalla e të pa vdekshme. Janë garancia që me popullin nuk mund të luhet, nuk mund të mashtrohet, nuk mund të nëpërkëmbet. Të gjithë për t’i përcjellë zërin e fuqishëm të bashkimit qeverisë Rama-Meta”, tha Basha.