Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 11:19

Një shtet që vjedh serverin e të dhënave tatimore, sekretin më të ruajtur nuk bën gjë tjetër veçse frymëzon krimin dhe kriminalitetin. Këtë ka deklaruar Kryetari i PD LulzimBasha në kremtimin e 23 vjetorit të krijimit së degës së PD në Lushnjë.

Çdo shqiptar e ka të faktuar sot, tha zoti Basha, se premtimet me të cilat kjo mazhorance erdhi në pushtet nuk ishin gjë tjetër veçse gënjeshtra e mashtrime . Katër muaj pasi kjo qeveri ka marrë pushtetin deklaroi lideri i Opozitës, shqiptarët paguajnë më shumë, janë më të pasigurt për jetën e tyre. Rritja e taksave ka çuar në mbylljen e shumë bizneseve, largimin e investitorëve të huaj. Jo vetëm që nuk është hapur asnjë vend i ri pune, tha zoti Basha, por shumë janë mbyllur e po mbyllen çdo ditë.

“Çdo shqiptari i duhet të paguajë më shumë dhe do të paguajë akoma më shumë për shkak të barrës së rëndë fiskale, taksave të larta, të hapura apo të fshehta , dyert e bizneseve po mbyllen, , investitorët e huaj kanë filluar të bëjnë lak rreth e qark vendit tonë. Mbyllen vende pune, flaken njerëz në rrugë, ky është realiteti i 4 muajve të parë të kësaj qeverisje. Numri i vrasjeve është shtuar frikshëm, numri i grabitjeve edhe më shumë, linjat e vjetra të trafikut të drogës janë riaktivizuar dhe bandat, janë rishfaqur sërish me maska dhe pa maska. Sepse shteti është frymëzuesi kryesor i kaosit dhe gjendjes së kriminalitetit në vend, një shtet që vjedh ditë për diell dhe natën për hënë, serverin e të dhënave tatimore, pasurinë më të çmuar, sekretin më të ruajtur të çdo shteti, nuk bën gjë tjetër veçse frymëzon krimin dhe kriminalitetin” deklaroi kreu i demokrateve, raporton Albeu.

Kryetari i PD është ndalur dhe në procesin e analizës dhe zgjedhjeve në parti. Në këtë proces zoti Basha ka kërkuar analizë të vërtetë, refleksion e garë të ndershme, nga baza në qendër për të zgjedhur më të mirët që Partia Demokratike ka për të për të qenë një alternativë e gatshme ndaj pushtetit sot dhe forca kryesore e pushtetit nesër per te vijuar projektin e zhvillimit dhe të Shqipërisë europiane, për të gjithë shqiptarët.