Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 21:29

Tiranë – Bashkia e Tiranës brenda 15 shtatorit do të ketë një plan të qartë pune për planin e ri urbanistik, i cili do të ketë si parim vlerësimin e drejtë të pronës dhe fitimin e hapësirave publike.

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, në një intervistë për televizionin “ABC NEËS”, konfirmoi se “plani i ri urbanistik është i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të qytetit. Aktualisht grupi i punës po bën evidentimin e situatës aktuale. Jo më vonë se 15 shtatori do të kemi një plan të qartë pune, që synon të kemi brënda 12 muajve një plan urbanistik të plotë për qytetin”.

Ndër të tjera, Basha i bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë ndërtimet pa leje. Ai tha se Policia Bashkiake në zbatim të ligjit ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për rastet e konstatuara.

Duke treguar për objektivat e 100 ditëve të punës së Bashkisë, Basha ripohoi se programi përfshin përshtatjen e strukturës së bashkisë për t’u angazhuar plotësisht për punësimin, zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, thjeshtimin e procedurave në kontakt me qytetarët dhe biznesin, hartimin e planit urbanistik, ngritjen e Agjencisë për mbrojtjen e konsumatorit, adresimin e çështjeve të hipotekimit, karta e studentit, infrastruktura, ujësjellës- kanalizmet dhe problemet e trafikut.

Sipas tij, këto objektiva dhe premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale, bazohen në një program, i hartuar nga ekspertë dhe kanë në thelb vënien në jetë të potencialeve të qytetit

“Të gjitha janë realiste dhe të mundura. Ndryshimi nuk vjen  brenda ditës. Jam i vendosur dhe do të bëjë gjithçka që t’i shndërroj premtimet në realitet, për të bërë gjithçka për qytetarin. Bashkia do të jetë vendi ku do të zgjidhen problemet e qytetarëve”, theksoi kryebashkiaku.

Në lidhje me projektet e lëna pezull, Basha tha se njëri prej tyre është sheshi “Skënderbej”. Ai vlerësoi se ky projekt nuk  i jep zgjidhje çështjes së trafikut, pasi nuk ka asnjë nënkalim, që do të çlironte situatën e trafikut.

Për procesin e hipotekimit të apartamenteve, që ende nuk kanë çertifikatë pronësie, Basha tha se  do të përfundojë brenda vitit. Sipas tij, për hipotekimin e apartamenteve po punon një grup i veçantë pune, që po punon intensivisht për përpunimin dhe trajtimin e të gjithë dokumentacionit, me qëllim arritjen e këtij objektivi madhor.

Në lidhje me financat e Bashkisë, Basha tha se “gjëndja financiare është e dobët. Kemi një shumë prej afro 1.5 milionë dollarë, e pamjaftueshme edhe për të paguar pagat e personelit, sepse kemi pasur një rënie drastike të mbledhjes së taksave nga bashkia muajt e fundit. Nuk dua të argumentoj për të kaluarën, por mbledhja e taksave është prioritet”.

Kryebashkiaku i siguroi qytetarët se sëshpejti do të ndërmerret një refomë fiskale, ku prioritare do të jetë ulja e taksave, thjeshtimi i mbledhjes së tyre dhe bërja e tyre transparente. Reduktimi do të përfshijë 60 taksa dhe tarifa. Një grup pune po punon për këtë dhe shumë shpejt do të paraqitet për miratim në Këshillin Bashkiak.