Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 09:15

Tiranë – Nuk jam nevojshmërisht për shembjen e Piramidës, por jam domosdoshmërisht për ndërtimin e një parlamenti të ri, i cili i bën nder kryeqytetit”, ka thënë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryebashkiaku i ri i Tiranës, Lulzim Basha.

Duke iu referuar çështjes së Piramidës, Basha tha se ka në tryezën e tij peticionin e qytetarëve që shprehen kundër prishjes së kësaj godine, por parlamenti ka kaluar ligjin dhe bashkia do t’i përmbahet zbatimit të tij.

Kryebashkiaku Basha tha se “Bashkia është e hapur për të dëgjuar zërin e çdo qytetari dhe ka marrë në dorëzim një peticion nga një numër qytetarësh, të cilët besojnë se Piramida nuk duhet të shëmbet. Unë kam thënë gjatë fushatës se nuk jam nevojshmërisht për shembjen e e Piramidës, por jam domosdoshmërisht për ndërtimin e një parlamenti të ri, i cili i bën nder kryeqytetit dhe qytetit të Tiranës. Diskutimi ka lëvizur që nga ai moment sepse parlamenti ka kalur ligjin dhe Bashkia, si çdo institucion i këtij vendi, i përmbahet shtetit ligjor. Por, ajo që mund t’ju them është përsëri se ne do të shërbejmë me devotshmëri, duke dëgjuar zërin e çdo qytetari e në këtë kuadër çdo çështje që ka të bëjë me interesin qytetar”.

Në lidhje me pozicionimin e Bashkisë larg konflikteve politike, kryebashkiaku Basha pohoi se nuk parashikohen spastrime politike të nëpunësve të Bashkisë së Tiranës.

“Nuk do të ketë asnjë spastrim politik, nuk do të ketë asnjë element të sjelljes që do të vazhdojë kulturën e konfliktit politik. Në prioritetin tim parësor, që është nxjerrja e bashkisë jashtë konfliktit politik, unë nënkuptoj dhe ritheksoj nevojën për të punuar së bashku me të gjithë kapacitetet e mundshme këtu në administratë, por edhe në qytet. E në këtë kuadër, përsëris ftesën, veçanërisht për minorancën në Këshill, PS dhe aleatët e saj, që të punojmë së bashku në Këshill, por po kështu, përsëris ftesën për të gjithë ata, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht se nga vijnë idetë, qoftë dhe nga PS, që të bashkëpunojmë”, tha Basha.

Ndër prioritetet e bashkisë, Basha përmendi organizimin e menjëhershëm urbanistik të Tiranës, ndërhyrjet urbane, ngritja e strukturave të posaçme të mbrojtjes së konsumatorit, një prioritet i shpallur tashmë e për të cilin po hidhen hapa konkret me të cilat opinioni do të njihet edhe në javët e ardhshme.