Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 11:19

Tiranë: – Kandidati i Partisë Demokratike (PD), për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha sot se në themel të projekteve për zhvillimin e kryeqytetit do të vendosë respektin e plotë për pronën private të qytetarëve të Tiranës.

“Ju garantoj se në themel të projekteve të zhvillimit të Tiranës do të vendos respektin e plotë dhe të palëkundur për pronën private të qytetarëve Tiranës dhe zhvillimin e saj sipas një formule të drejtë vlerësimi”, u shpreh kandidati Basha në fjalën e mbajtur në mitingun hapës të fushatës elektorale të Partisë Republikane, pjesë e koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin”.

Duke theksuar se ajo që na bashkon sot është Tirana, Basha nënvizoi se problemet e qytetit, nuk do të zgjidhen më 8 maj, por do të shtrohen për zgjidhje më 8 maj.

“Ne sot flasim pë shqetësime konkrete dhe jo për politikë, ne flasim për problemin e papunësisë, për lagjet pa infrastrukturë, për kaosin e trafikun e përditshëm, për ajrin e ndotur e klasat e mbipopulluara. Këto halle nuk do të zgjidhen më 8 apo 9 maj, por ato do të shtrohen për zgjidhje më 8 maj”, u shpreh kandidati i maxhorancës.

Duke iu referuar fjalës së mbajtur dje nga kryetari aktual i bashkisë së Tiranës, Basha tha se “Rama dëshiron të vazhdojë të flasë për betejat politike, kurse unë dua të vazhdoj betejat e përditshme të qytetarëve të Tiranës”.

“Ai kërkon t’ua hedhë fajin të tjerëve për premtimet e tij të pambajtura, që i përsërit rishtazi sa herë vijnë fushatat. Unë kam mbajtur dhe do të mbaj çdo premtim që jap para jush. Rama bie të flerë çdo natë duke menduar se si dhe kur do të bëhet kryeministër, ndërsa unë do të shkoj të fle çdo natë me përgjegjësinë e madhe që jam kryebashkiaku juaj, pasi për mua e para është Tirana dhe të parët jeni ju” tha Basha, duke iu drejtuar të pranishmëve në miting.

Duke theksuar se sot Tirana ndodhet në udhëkryq, ai nënvizoi se nuk mund të vazhdojë të ndjekë rrugën e vjetër të akuzave e të luftës politike, rrugë që nuk të çon askund. “Unë dua të ndjek një rrugë tjetër më të mirë, e cila do të lirojë më shumë vende pune dhe do i shërbejë mirëqënies përmes fuqizimit të fuqisë blerëse, do të mbajë nën kontroll çmimet duke goditur spekulantët”, u shpreh kandidati i PD-së.

Ai theksoi se ne jemi për një rrugë që na çon drejt një infrastrukture dhe drejt parqeve industriale, investimeve të huaja, ndërtimit të më shumë shkollave dhe parqeve.

“Ritheksoj se për mua prioriteti numur një mbetet hapja e 30 mijë vendeve të reja pune dhe ky nuk është një premtim elektoral. Vetëm nga hapja e kantiereve të ndërtimit për parkingjet dhe nënkalimet, për ndërtimin e unazës së madhe, për të cilat Tirana ka aq shumë nevojë, do të hapen minimalisht 5 mijë vende të reja pune”, premtoi Basha.

Duke u ndalur tek projektet për biznesin e vogël e të mesëm, ai tha se parashikon heqjen e 60 taksave lokale, nga 85 që janë aktualisht dhe uljen e atyre të mbetura në masën 2-5 herë. “Përmes këtij lehtësimi fiskal biznesit të vogël e të mesëm do t’i japim frymëmarrje dhe nuk do i lëmë të mbyllin qepenat, por do t’i japim mundësi të rrisin mirëqënien e tyre, punësimin dhe vetëpunësimin”, theksoi kandidati demokrat në përshëndetjen e tij, mbajtur në mitingun e PR-së.