Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 15:54

Tiranë- “Mbrëmë konsensusi politik u shkelmua për vdekje me kobure. Kryeministri Rama vuri para interesat vetjake meskine dhe hodhi poshtë konsensusin unanim që ua rrit për ligjin e “Nëpunësit Civil”, ligj që vetëm 4 orë donte dhe hynte në fuqi”.

Deklarata u bë sot pasdite nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një konference për shtyp me gazetarët duke e cilësuar vendimin e qeverise ‘Rama’, për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit “mbi Nëpunësin Civil”, si antikushtetues dhe arbitrar.

“Mazhoranca duhet ta kuptojë që konsesusi nuk është çështje numrash, por vlerash. Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë, kërcënon rrugën integruese të vendit dhe riciklon konfliktin politik në vend. Kjo është një situatë e rëndë për demokracinë në vend”, u shpreh Basha.

Në vijim Basha kujtoi se motivi i shtyrjes së këtij ligji është spastrimi i administratës duke hequr mbrojtjen ligjore dhe duke shtuar intensifikimin e shkarkimeve.

Më tej, Basha krahasoi se akte të tilla ndodhin vetëm në republika-banana. Në këtë pikë ai i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta të dëshmojë që salla e kuvendit nuk është bërë qesharake.

“Kjo ndodh vetëm në Banana Republikë që mbështeten në ndonjë ligj të xhunglës, Rama e ka trajtuar Kuvendin e Shqipërisë si Banana Kuvend. I bëj thirrje kryetarit të Kuvendit të bëjë detyrën për të treguar se Kuvendi nuk është Banana Kuvend. Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë dhe riciklon konfliktin politik”.

Basha siguroi se opozita po përgatit të gjitha hapat e nevojshme lidhur me cështjen në fjalë. Kreu i PD-së theksoi më tej se në orët në vazhdim do të mblidhet grupi parlamentar demokrat si dhe aleatët për të vendosur për të gjitha hapat që do të ndërmerren.

“Partia Demokratike është e bindur që duke përdorur të gjitha mjetet ligjore tu ofrojë administratës, anëtarëve që ndihen të kërcënuar asistencën e nevojshme” përfundoi Basha.

Kreu i opozitës vuri në dukje se Partia Demokratike është e vendosur që duke i qëndruar besnike Kushtetutës dhe ligjeve, ti ofrojë administratës dhe anëtarëve të administratës që ndihen të kërcënuar të gjithë asistencën e nevojshme. /BW/