Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 20:18

Tiranë- Kreu i ri i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me mbledhjen e kabinetit të ri qeverisës në Vlorë. Sipas tij, kjo mbledhje është një takim privat i Ramës, për ndarjen e tortës së pushtetit. Basha thotë se Rama po u fsheh shqiptarëve planet e errëta të qeverisë së tij.

“Edi Rama bëri sot një takim privat, me qeverinë e tij private, në një ndërtesë private, dhe gjithçka që u bisedua atje mbeti private. Kryeministri i ardhshëm ka mbyllur dyert për mediat, edhe pse kur ka lajmeruar këtë mbledhje qeverie në rrjetin social ka folur për përgjegjshmëri e transparencë.

Por, ne e dimë se ka arsye të forta për z.Rama për të mbyllur dyert.

E para, sepse ky është stili i tij i qeverisjes. E ka treguar për vite të tëra në Bashkinë e Tiranës.

E dyta, sepse këto nuk janë mbledhje kabineti, por janë organizime okulte për të detajuar planet e z.Rama dhe mazhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike.

Dhe e treta, ku më mirë se buzë detit, në një hotel luksoz, larg syve të botës, mund të vendoset për ndarjen e tortës së pushtetit, për caktimin e linjave të përfitimit për z.Rama dhe aleatët e tij.

Kjo është mbledhja e vertetë dhe arsyeja e vertetë e këtyre takimeve të z.Rama. Deklaratat me fjalë të bukura janë vetëm makiazh për t’iu fshehur qytetarëve planet e errëta, dhe për t’i bërë bisht premtimeve zgjedhore stratosferike”, shprehet Basha, raporton tema.