Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 14:27

Tiranë – Kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, premtoi se në platformën e tij parashikohet decentralizim real për ta sjellë pushtetin vendor pranë problemeve të qytetarëve.

Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor e zyrtarizoi Lulzim Bashën kryetar të Bashkisë së Tiranës. Ankesa e PS-së ra poshtë. Por, ja cilat ishin premtimet parazgjedhore të kandidatit blu.

“Qytetit i duhet një kryebashkiak për të cilin “e para është Tirana, të parët jeni ju”, deklaroi Basha në ditën e parë të çeljes së fushatës së tij elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit përballë kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama .

“Kryetarët e njësive bashkiake në kryeqytet nuk do të kenë më kompetencë të vetme dhënien e çertifikatave”, deklaroi Basha.

Decentralizimi do jetë një nga politikat që do të ndiqet me agresivitetin më të lartë deri sa çdo qytetar të ketë aksesin e nevojshëm në shërbimet që duhet të ofrojë pushteti vendor, premtoi kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Në një ndër takimet e tij me banorë të njësive bashkiake, Basha tha se në gjithë Tiranën, mijra kërkesa të qytetarëve përplasen në muret memece të bashkisë, e cila në më të shumtën e rasteve nuk kthen as përgjigje.

“Kurrë më qytetarët e Tiranës nuk do të vërdallisen me kërkesa dhe formularë pa fund për hallet dhe problemet e tyre të përditshme. Tek kryetari i minibashkisë nuk do të keni më njeriun që mban vulën e çertifikatës, por njeriun që qan hallet tuaja dhe ju kthen përgjigje brenda 24 orëve, ashtu siç e meritoni” tha Basha.

Basha premtoi se si kryetar i bashkisë nuk do të hezitojë të kundërshtoj madje as vendime të marra nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, kur ato bien ndesh me interesat afatgjatë të qytetarëve të Tiranës.

“Unë e di se ka mes jush që pyesin se çfarë raporti do të ndërtoj unë nesër si Kryebashkiak me qeverinë qëndrore. Për të gjitha ata që pyesin, kjo është përgjigjia ime: Unë do të punoj me qeverinë qëndrore sa herë e lyp interesi më i mirë i Tiranës, por nuk do të ngurroj kurrë të përballem me të nëse ky interes vihet në pikëpyetje. Qeveria qëndrore mund, duhet dhe do të bëjë shumë për Tiranën, dhe unë si Kryebashkiak do të punoj me të dhe do t’i jem mirënjohëse për çdo ndihmë kësaj mysafire të përhershme të qytetit tonë”, premtoi Basha.