Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 15:53

Tiranë – Gjatë takimit të sotëm me banorët e zonës së Kombinatit,për zgjedhjet vendore të 8 Majit, kandidati i Partisë Demokratike për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha bashkëbisedoi për hallet dhe problemet e tyre, një prej të cilave është edhe transporti publik.

Basha i siguroi banorët e Kombinatit, se një ndër prioritetet e programit të tij si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës do të jetë transporti. Duke shpjeguar planin që ka për transportin, Basha u tha banorëve se “pikat më të largëta do të kenë lidhje shumë më të mira përmes Tramvajit dhe të pavarur nga trafiku”.

Zona e Kombinatit, pjesë e rëndësishme e Tiranës me rreth 60 mijë banorë, vitet e fundit është larguar nga kryeqyteti dhe aktualisht gjendet një orë larg qendrës. “Një orë bëjmë të shkojmë në Tiranë me autobus, i thanë banorët kandidatit për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha.

Transporti publik është një nga problemet që ka kjo zonë dhe sa më thellë të depërtosh nëpër lagje, aq më shumë në sipërfaqe dalin mangësitë e mëdha në infrastrukturë.

Ndër të tjera, banorët i treguan Bashës për mungesën e pusetave dhe pasojat që ato sjellin në infrastrukturë.

Një problem tjetër për banorët e Kombinatit mbeten edhe ujërat e zeza, rrugët e prishura dhe mungesa e ambjenteve për zbavitjen e fëmijëve dhe të moshuarve.

“Do t’a bëj rrugën sipas një plan-zhvillimi, ku të ketë edhe shesh për të luajtur fëmijët, edhe për të kaluar kohën të moshuarit”, i garantoi Basha banorëve të zonës.

Banorët i kërkuan gjithashtu Bashës që të ndërhyjë në banesat e tyre, për shkak se ato janë të vjetra dhe në gjendje të rëndë.

Kandidati për kryebashkiak të Tiranës, Lulëzim Basha i garantoi qytetarët se, për të gjithë hallet dhe problemet që kanë do të kenë vemendjen e tij, kur ai të jetë në krye të bashkisë.