Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 13:45

Tiranë-Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin dhe instalimin e sistemit të ngrohjes në kopshtin 39. Kryebashkiaku Basha ka parë nga afër sot përfundimin e punimeve në këtë kopësht, i ndryshuar tërësisht me një fond prej 7.9 milionë lekësh.

Riksiontruksioni i kopshtit ka bërë një risistemim total të ambienteve të brendshme, duke u shtuar dhe ambiente të reja. Janë rikonceptuar banjot, për tu bërë funksionale për fëmijët. Është vendosur sistemi i mbrojtjes nga zjarri, si një standard për godinat arsimore.

Kryebashkiaku Basha u shpreh se janë bërë një sërë investimesh që synojnë përmirësimin e jetës së banorëve, por edhe të fëmijëve. “Në njësinë bashkiake nr.4, së bashku me kryetarin e kësaj njësie bashkiake dhe banorët, ne kemi nisur një sërë projektesh të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve por edhe cilësisë së jetës së vogëlushëve. Sot, përurojmë përfundimin e njërit prej këtyre investimeve që është kopshti nr.39, i cili është rindërtuar në të gjithë parametrat e tij, mundëson një kapacitet trajtimi të 120 fëmijëve, ka sistem ngrohje me peleta, është rehabilituar në të gjithë komponentët e sallave të qëndrimit, sallave të fjetjes, kuzhinës dhe çdo parametër tjetër”, – u shpreh kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.

Ai u shpreh se deri në vitin 2015, të gjitha kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë sistem të ngrohjes dhe 95% e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme.  “Natyrisht, nuk ndalemi këtu! Sot, jemi në përfundim të ngrohjes në 5 kopshte. Brenda këtij viti, zbatimi i sistemit të ngrohjes në të gjithë çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Tiranës do të jetë në avancim të plotë dhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm, të gjithë kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë 100% ngrohje, sikundër 95% e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Ky është një objektiv madhor i Bashkisë së Tiranës, angazhim financiar, projektues dhe ndërtues. Sigurisht, është një objektiv i kësaj administrate por që në fakt duhej të ishte përmbushur prej kohësh”,- u shpreh Basha./NOA/