Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 11:34

Tiranë – Kandidati i Partisë Demokratike për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, prezantoi mbrëm platformën e tij për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe evidentoi disa nga problemet më të mprehta me të cilat ndeshet kryeqyteti i vendit.

Sipas tij, “papunësia, trafiku kaotik, ndotja e mjedisit dhe situata në shkolla janë disa nga problemet që kërkojnë zgjidhje urgjente”.

“Misioni im është hapja e 30 mijë vendeve të punës brenda 2 viteve të para të mandatit tim”, tha Basha, ndërsa shtoi se duhet nxitur ekonomia duke e bërë Tiranën qendër biznesi.

Basha premtoi gjithashtu se Tirana do të ketë tramvajin e saj si të gjitha metropolet europiane, ndërsa siguroi se do të ketë një sistem transporti publik cilësor, që do shtrihet në gjithë qytetin.

Gjithashtu, Basha premtoi përfundimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit.