Lajme Shqip Friday, 26 July 2013 12:03

Basha: Për mua votuan 41 mijë persona
Tiranë – Kreu i ri i PD-së, Lulzim Basha, iu është përgjigjur akuzave të Astrit Patozit, se gara për zgjedhjen e tij ishte jo reale. Sipas Bashës, për të kanë votuar 41 mijë persona.
“Në PD çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për këdo. Jemi parti e njerëzve të lirë dhe e lirisë së shprehjes së mendimit. Mbi 41 mijë anëtarë janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre është detyra ime dhe e gjithkujt të angazhohemi për një përballje të fortë me sfidat që na presin dhe kthimin e tyre në mundësi dhe shpresë për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike” tha Basha.
Ndërkohë, ai ka akuzuar kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, për deklaratat e tij mbi INSTAT, shkruan tema.
“Qëndrimi i djeshëm i kryesocialistit dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet dhe është një propozim për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është ISNTAT që opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka shkuar për shtat. Projekt i rrezikshëm antishtet me qëllim manipulimin e të vërtetës, duke vërtetuar se premtimet piramidale të 23 qershorit që ishin skema e mashtrimit po sjellin kosto pas kostos, dhe pjesë e kësaj është tentativa për të manipuluar të vërtetave për fshehjen e dështimeve dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale. PD do mbrojë INSTAT si zë i besueshëm dhe në mbrojtjen e të vërtetës si është, demaskimin e përpjekjes pa u instaluar në pushtet” tha Basha.