Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 18:00

Tiranë – Rreth 60 mijë studentë të Tiranës do të pajisen brenda muajit me kartën bashkiake të studentit, një dokument përmes të cilit të rinjtë do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, firmosi sot me rektorët e pesë universiteteve marrëveshjen, duke  konkretizuar në 100 ditshin e parë të punës si kryebashkiak premtimin që u ka dhënë studentëve gjatë fushatës elektorale.

“Është gati infrastruktura e nevojshme për lëshimin e kartës së studentit, që do të përmirësojë cilësinë e jetës së studentëve. Tirana ka një objektiv ambicioz që të jetë qyteti i 100 mijë studentëve. Duke investuar tek të rinjtë, Tirana investon për të ardhmen”, u shpreh Basha, duke demonstruar për mediat modelin e kartës bashkiake të studentit.

Modeli i administrimit të kartës së studentit, do të pasohet në ditët në vijim me krijimin e databazës me të dhënat e të gjithë studentëve dhe brenda muajit do të nisë printimi i tyre.

“Databaza është një sistemi që funksionon në Bashki, sipas parametrave më modern. Pas përgatitjes së të dhënave, printimit, do të nisë shpërndarja e kartave”, tha Basha, sipas të cilit i gjithë sistemi do të jetë i kontrollueshëm, por do të ketë edhe një faqe elektronike online të aksesueshme nga studentët dhe ofruesit e shërbimeve.

Sipas tij, kjo kartë ofron shumë lehtësi për studentët. Bashkia e Tiranës, ka rënë dakord me Ministrinë e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, për t’i krijuar lehtësi studenteve për të hyrë falas në muze, stadium dhe teatër. Është rënë dakord me Bankën e Shqipërisë për të krijuar disa lehtësi ndaj studentëve për marrjen e kredive. Edhe Ministrisë së Transporteve i është kërkuar të krijojë lehtësi në transportin e studenteve me tarifa të ulëta. Negociata do të ketë edhe me Dhomën e Tregtisë.

Fillimisht ‘Karta e Studentit’ do të jepet për pesë universitetet publike dhe më pas Bashkia e Tiranës do të nënshkruaj marrëveshje edhe me 33 universitetet private, ku studiojnë rreth 27 mijë të rinj.

Karta bashkiake e studentit është një hap drejt përcaktimit të një statusi më të privilegjuar të studentit në shoqëri, ashtu siç ai trajtohet në të gjitha shoqëritë demokratike moderne.
Ky dokument ka elementë sigurie dhe do të përmbajë: emrin, mbiemrin e studentit; ditëlindjen; universitetin, degën, vitin; numrin e serisë së Kartës së Studentit; datën e lëshimit të Kartës së Studentit dhe periudhën e vlefshmërisë.