Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 12:04

Tiranë – Aksioni i Policisë Bashkiake kundër ndërtimeve pa leje në kryeqytet, nisi sot me shembjen e një ndërtese 4-katëshe në rrugën “Ismail Strazimiri” të njësisë bashkiake nr. 10. Drejtorit i ri i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, në 72 orët e para të punës së tij tha se, “në territorin e kryeqytetit, janë evidentuar dhe pezulluar 67 ndërtime pa leje'”.

Sipas tij, aksioni i Policisë Bashkiake sapo ka filluar dhe do të vazhdojë.

Në të gjitha rastet e konstatuara, Policia Bashkiake në zbatim të ligjit ka ndërmarrë hapat e nevojshëm.  “Të gjitha rastet e ndërtimit të paligjshëm janë pezulluar. Policia Bashkiake ka konstatuar nga afër gjendjen dhe ka dorëzuar tek qytetarët akt-kontrollet”, tregoi Hoxha, duke i bërë  thirrje qytetarëve të distancohen dhe të denoncojnë raste të ndërtimeve pa leje.

Pak ditë më parë Bashkia e Tiranës shprehu vendosmërinë për zbatimin rigoroz të ligjit në rastet e konstatimit të ndërtimeve të paligjshme. Në dispozicion të qytetarëve, Bashkia e Tiranës ka vendosur numrin telefonik 241 94 65, përmes të cilit mund të kryhen denoncimet për ndërtimet pa leje në të gjithë territorin e Tiranës.

Pas publikimit të numrit të telefonit, qytetarët e Tiranës kanë bashkëpunuar me Policinë Bashkiake dhe kanë bërë me dhjetëra denoncime. Ndërkohë që pas aksionit, bashkia ka publikuar konstatimet e ndërtimeve pa leje, të ndara sipas njësive bashkiake.

Objektet e bllokuara:

– Në njësinë numër 1, janë konstatuar 2 ndërtime pa leje dhe është bërë bllokimi i tyre.
– Në njësinë numër 2, u bllokuan 3 ndërtime pa leje.
– Në njësinë numër 3, u vendos bllokimi në 3 ndërtime pa leje.
– Në njësinë numër 4, policia Bashkiake bllokoi 2 punime pa leje.
– Në njësinë numër 5, u konstatuan dhe u bllokuan 4 ndërtime pa leje.
– Në njësinë numër 6, u verifikua dhe u bllokua 1 ndërtim pa leje.
– Në njësinë numër 7, u gjetën dhe u bllokuan 5 ndërtime pa leje.
– Në njësinë numër 9, u konstatuan 2 punime pa leje, që u bllokuan nga Policia Bashkiake.
– Në njësinë numër 10, u hasën 4 ndërtime pa leje dhe ndaj tyre u morën masa.
– Në njësinë numër 11, u bllokuan 2 punime pa leje.

Gjithashtu, Policia Bashkiake gjatë kontrollit të territorit, ka zbuluar 76 subjekte tregtare të paregjistruara si dhe 34 subjekte, që nuk kishin paguar hapësirën publike. Ndaj tyre janë marrë masat ligjore. Policia Bashkiake ka bllokuar 19 automjete të parkuara në mënyrë të kundraligjshme si dhe ka marrë masa, për sigurimin e qetësisë në disa ambiente në kryeqytet, që vuanin nga ndotja akustike, kryesisht në zonën e ish-Bllokut.