Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 12:27

Tiranë – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh sot gjatë gjatë takimit konsultativ për planin rregullues të Tiranës, se “plani i ri urbanistik është një domosdoshmëri për Tiranën”.

Sipas tij, Tirana është shndërruar në një qytet me trafik të rënduar dhe rrugë të bllokuara. Tirana ka përjetuar një rritje me efekte negative në trafik dhe mjedis.

“Për këtë projekt na bashkoi vullneti, filozofia e zhvillimit urbanisitik. Është e domosdoshme të zgjidhim një herë e mirë konfliktin artifiacial mes qytetit dhe qytetarëve”, tha Basha.

“Plani i ri urbanistik ka për synim rikthimin e balancës së interesit privat. Ai do të përfundojë brenda dhjetë muajve. Gjatë majit të vitit 2012 duhet të kemi një projekt të gatshëm. Plani urbanistik është në interes dhe shërbim të qytetarëve”, tha Basha, duke shtuar se, “premtimet e fushatës sime elektorale do të bëhen realitet”.

“Të gjithë ne synojmë të ndërtojmë partneritet me sektorët e biznesit, si dhe t’u vimë në ndihmë të gjitha grupeve të interesit”, tha Basha.

“Në planin urban synojmë që plani të ketë frymë bashkëpunimi dhe mes komunave e bashkive rreth Tiranës. Kjo mund të sigurohet në bazë të një procesi serioz bashkëpunimi”, tha Basha.

“Kemi promovuar debat serioz mbi trafikun, hapjen e vendeve të punës, ekonominë. Kemi promovuar debate për çështje mbi sfidat e pushtetetit lokal, duke ofruar një platformë konkrete bashkëpunimi për planin urban ku të jetë i pranishëm çdo qytetar”, theksoi Basha Basha theksoi se procesi i ndërtimit të planit urbanistik do të kalojë në disa faza.

“Dimensioni strategjik, i cili do të shtrojë opcionet strategjike që do të diskutohen nga grupet e punës. Investimet strategjike, ekonomike, etj, do të jenë disa nga temat e këtyre grupeve”, u shpreh Basha.

“Dimensioni fizik rregullator. Plani rregullues do jetë guri i themelit për këtë plan urbanistik. Sigurimi i hapësirave të nevojshme publike dhe rigjallërimi i lagjeve është një synim kryesor”, tha Basha .

“Dimensioni infrastrukturor. Zhvillimi urban s’do ketë kuptim pa zhvillimet e duhura në infrastrukturë dhe pa plan infrastrukturor. Infrastruktura si unaza e madhe, tramvaji, parkingjet publike dhe private do të jenë ambiciet bashkëkohore të qytetit tonë”, tha Basha.

Gjatë takimit kryebashkiaku Basha ftoi përfaqësuesit më në zë të botës akademike për hartimin e planit të ri urbanistik. Ai tha se, “ju përgezoj për rolin në përpjekjet e vazhueshme dhe sfidat që qyteti ka përjetuar, si dhe për kurajon tuaj në këtë sfidë të vështirë, por aspak të pamundur”.

“Plani urbanistik do të jetë në bashkëpunim me botën akademike, e cila do të jetë bashkëpunëtorja kryesore në këtë plan. Procesi i hartimit të planit është i hapur ndaj opinioneve. Transparenca është pike kyçe për largimin e politikave klienteliste”, tha Basha.