Lajme Shqip Tuesday, 22 October 2013 14:34

Tiranë- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar denoncoi planet për një ndryshim të projekt/buxhetit 2013 me një akt normativ. 

Sipas kryetarit Basha: “Akti normativ i ndryshimit të buxhetit të vitit 2013 është një ‘minë me sahat’, është një akt i paligjshëm se nuk mund të marrësh hua për të mbuluar rrogat. PD, opozita, mbarë qytetarët duhet të jenë në këmbë për të parë se ku do të përfundojë kjo shumë parash që i vidhet me këtë akt normativ buxhetit të përbashkët me justifikimin se nuk do të mblidhet. Ne duhet të jemi në lartësinë e misionit tonë për t’i thënë ndal shkeljes së përsëritur të ligjit, rritjes së borxhit, uljes arbitrare të të ardhurave dhe zhvatjes së tyre për xhepat e funksionorave”. 

Sipas tij, qeveria e Ramës e thelloi me dorë të rëndë madje me kazëm borxhin publik. 

“Akti është kundër stabilitetit finaciar, rruga e rrokullisjes drejt reçensionit për herë të parë të ekonomisë që u rezistoi dallgëve të krizës globale, formula e reçesionit Rama. PD dhe mbarë opozita do të përballen në komisione dhe Kuvend me këtë akt aventuresk të qeverisë, duke i rezervuar ekspertizën më të mirë”. 

Kreu i PD, nënvizoi se, “kur ishin në opozitë u çorrën kundër borxhit publik dhe pse ne arritëm të mos e nxjerrim asnjëherë jashtë kontrollit, e paraqitën borxhin si gogol, vodhën iluzione më saktë gënjeshtra se do të plasë sot apo nesër, gënjyen se me të ardhur në pushtet do t’i vinin borxhit fre, por ata po e trefishojnë borxhin, e kanë çuar në 400 milionë dollarë”. /BW/